AKTUALITET /

“Kush është shqiptar këtu?”, eksperti për fondacionin AADF: Pasi morën Butrintin, po projektojnë Shqipërinë e ardhshme

Një postim i fondacionit AADF për trajnimin e ekspertëve shqiptarë në Harvard ka ngjallur reagime pasi në foto është e vështirë të shquhet ndonjë shqiptar.

Shkruar nga Versus
“Kush është shqiptar këtu?”, eksperti për
Foto: Eksperti i trashëgimisë kulturore, Auron Tare dhe grupi i AADF që kreu trajnimin në Harvard

AADF, një organizatë për zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë në Shqipëri ka publikuar së fundmi një foto nga përfundimi i programit në Universitetin e Harvardit. Fotoja mbante përshkrimin ku thuhej se të rinjtë e kësaj organizate kishin përfunduar një trajtim dhe tashmë ishin më të përgatitur për progresin institucional të vendit.

“LEAD Fellows 2025 kohët e fundit përfundoi një program në Universitetin e Harvardit dhe një vizitë në Uashington, D.C. Programi ofroi ekspozim ndaj praktikave të udhëheqjes ekzekutive, politikës publike dhe perspektivave globale, të dizajnuara për të forcuar aftësitë strategjike dhe angazhimit qytetar të pjesëmarrësve.

Me njohuri të reja dhe mjete praktike në dorë, Fellows tani janë më të përgatitur për të mbështetur progresin institucional dhe shoqëror të Shqipërisë. Përmes nismave si LEAD Albania, AADF vazhdon të investojë në individë që do të formësojnë progresin afatgjatë të vendit”- shkruhet në artikullin e AADF.

“Kush është shqiptar këtu?”, eksperti për
Foto: Postimi i AADF

Por ajo që ka ngritur shqetësime dhe reagime është fakti se në foton e publikuar, pothuajse asnjëri prej të pranishmëve në trajnim, nuk duket të jetë shqiptar. Kjo gjë ka sjellë edhe reagimin e ekspertit të trashëgimisë kulturore Auron Tare i cili ngre alarmin se pasi mori nën menaxhim parkun Kombëtar të Butrintit, fondacioni AADF tashmë po projekton edhe Shqipërinë e ardhshme, me ‘bekimin’ e drejtuesve të vendit.

Reagimi i Tares: 

“Shqipëria e ardhme sipas AADF -së”

Më poshtë një postim i AADF-së mbi programin LEAD Albania. Një program ky që mbështet teknicientë të rinj shqiptarë për rritje profesionale. Po e shikoja me kuriozitet  pasi rrekesha të kuptoja  se kush ishte shqiptar në këtë foto.  Ky me Turban në kokë? Këta indianët ne sfond apo këto gocat aziatike?  Ndoshta e kam unë gabim që nuk po i gjej dot apo ndoshta AADF pasi na mori Trashëgiminë Kulturore me bekimin e baballarëve të Kombit tani po projekton edhe Shqipërinë e ardhshme?

AADF është fondacioni që do të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit, sipas qeverisë për të shtuar fitimet nga turistët e huaj. Por në shkurt të këtij viti, në media u publikua plani për ndërtimin e një qyteze të tërë turistike në një zonë që deri dy vite më parë ishte pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe e mbrojtur nga UNESCO. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të mëdha në radhët e ekspertëve të trashëgimisë kulturore, të cilët e shohin si një kërcënim serioz për peizazhin historik të qytetit antik.

Fondacioni shqiptaro-amerikan së bashku me ministrinë e Kulturës kanë në dorë krijimin e modelit për të menaxhuar këtë zonë arkeologjike. Fondi i përcaktuar nga ky fondacion është 6.18 milionë dollarë. Kjo nismë u kundërshtua nga një komision i UNESCO-s, ndërsa edhe opozita shqiptare e çoi në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar anulimin e marrëveshjes. Ndërsa “Kushtetuesja” pasi pranoi se një marrëveshje e tillë nuk kishte të ngjashme me asnjë vend tjetër perëndimor, me shumicë votash i hapi rrugë marrjes nën menaxhim të Parkut të Butrintit nga AADF për 10 vitet e ardhshme. Versus.al

Poll