Mbyllja e hetimeve të SPAK për grupin kriminal ku të përfshirë rezultojnë edhe ish-zv.drejtori i policisë Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani, zbuloi edhe disa prej ngarkesave me kokainë dhe marijuanë që ishin nisur nga Amerika Latine por që ishin kapur nga policia.
Fillimisht, në 5 janar të 2021-it, në Holandë u sekuestruan 446 kg kokainë e ardhur nga Amerika Latine. Për këtë ngarkesë dyshohet se Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani bashkëpunuan me Ergys Dashin (i ekzekutuar në Ekuador) dhe me persona të tjerë për transportin e lëndës narkotike.
Më pas një tjetër sasi droge prej 69 kilogramësh kokainë u kap në Brazil me po të njëjtët persona të përfshirë në veprimtari kriminale. Destinacioni i drogës ishin shtetet e Evropës Perëndimore. Në dosje zbardhet edhe një tjetër rast i sekuestrimit të 166 kg marijuanë në Ervritte e nisur nga Spanja për në Gjermani. Për këtë ngarkesë, Albert Prenga ka patur rolin e porosistësit dhe financuesit të lëndës narkotike ndërsa ka bashkëpunuar edhe me shefin e krimeve në komisariatin nr.2 të Tiranës, Dedan Gjonin ndërsa i pandehuri tjetër në dosje Bajram Grabova ka pasur rolin e transportuesit të drogës.
Vitin e kaluar, pas arrestimit të Erzen Breçanit në dosjen e SPAK u publikuan edhe komunikime që djali i tij Eralbi Breçani kishte pasur me persona të tjerë në aplikacionin “Sky ecc” ku flisnin për zbarthimin e aplikacioneve të tilla dhe për transportin e lëndës narkotike nga Amerika Latine.
Ndërkohë, ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës Erzen Breçani ndryshe nga sa pretendon nga deklarata e tij në polici, rezulton se ishte në dijeni të aktivitetit kriminal të të birit. Në përgjime, Eralbi Breçani u tregon bashkëfolësve se i ati i kishte dhënë instruksione si të ruhej, duke u bërë thirrje që t’i heqin telefonat pasi po përgjohen aplikacionet ‘sky’. Më tej anëtarët e grupit kriminal mes shakash me njëri-tjetrin urojnë që nëse arrestohen të bien në të njëjtin sektor burgu, për të bërë muhabet.
Pjesë nga përgjimet e zbardhura:
Eralbi Breçani: Lek sa të doni, ju jep boli...po ha drekë me babën jam, ju bën të fala.
Besmir Murati: Të fala bëji
Eralbi Breçani: Të fala paçi, po më jep instruksione si të ruhemi, hiqni telefonat thotë, po hapen ‘sky’.
*D****P*, i paidentifikuar: Ka të drejtë. Për zotin gjëja e parë që kam mëndu kur është kap puna është ‘sky’.
Eralbi Breçani: Plaku më ka thënë para 2 javësh. Kanë ardhur dosje në Shqipëri për disa persona, edhe shqiptarë nga vendet latine, Europa dhe Anglia shumë. Po hetohen shumë persona dhe vetëm për këto ‘sky’ për Zotin. Ishalla biem në një sektor të gjithë bashkë bëjmë muhabet.
Ndërkohë, Eralbi Breçani dhe persona e tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës janë ende në kërkim që prej vitit të kaluar. Versus.al



