AKTUALITET /

“Lekët e hidrocentralit ia mora vëllait”, dosja e Breçanit i kalon Tiranës! GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për të akuzuarit e ‘Metamorfozës 2’

Shkruar nga Versus
“Lekët e hidrocentralit ia mora vëllait”, dosja e
Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për disa prej të pandehurve të arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza 2”.

6 prej të akuzuarve do të gjykohen me procedurë të shkurtuar falë së cilës mund të përfitojnë edhe ulje dënimi në rast se shpallen fajtorë. Gjykim të shkurtuar kanë kërkuar, ish-shefi i krimeve në komisariatin Nnr.6 Dedan Gjoni, Adrian Cenaj, Bujar Ajeti, Besmir Murati, Ismail Zeneli dhe Albert Prenga.

Ndërsa ish-zv.drejtori i policisë, Erzen Breçani dhe ish-specialistja në zyrën e Interpol Tirana, Jonida Babameto kanë kërkuar gjykim të zakonshëm. Breçani u shpreh në sallë se nuk mund të pranojë akuzat e bëra prej prokurorit të SPAK Vladimir Mara duke argumentuar se asnjë prej pretendimeve nuk qëndron dhe se lekët për të ndërtuar hidrocentral në Valbonë ia kishte marrë vëllait të tij.

"Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përsë të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese", citohet të ketë thënë Breçani.

Prokurori i posaçëm Mara tha se Erzen Breçani ka përdorur në skyecc të njejtin pin të cilin e ka përdorur më parë vrasësi me pagesë Nuredin Dumani i cili tashmë është i penduar i drejtësisë.

GJKKO vendosi që të shpallë moskompetencë për Erzen Breçanin dhe Jonida Babameton, duke ia kaluar dosjen e tyre gjykatës së Tiranës.

Ndërsa personat e tjerë që ndodhen ende në arrati për operacionin “Metamorfoza 2”, janë ndarë nga ky proces gjykimi. Konkretisht djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2023 pasi përgjimet e zbardhura në Sky Ecc zbuluan se ata trafikonin kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Në përgjime shfaqej edhe Breçani i cili dukej të ishte në dijeni të akvititetit të paligjshëm të djalit të tij. Versus.al

Poll