AKTUALITET /

“Çlirohet” TikTok? Shumë përdorues hyjnë në platformë pa ndihmën e VPN

Pas disa javësh ndalimi të pjesshëm dhe kufizimesh të aksesit në rrjetin social TikTok, përdoruesit në Shqipëri raportojnë rikthimin e plotë të qasjes në platformë pa nevojën për përdorim të VPN-ve

Shkruar nga Versus

 

“Çlirohet” TikTok? Shumë përdorues hyjnë

Pas disa javësh ndalimi të pjesshëm dhe kufizimesh të aksesit në rrjetin social TikTok, përdoruesit në Shqipëri raportojnë rikthimin e plotë të qasjes në platformë pa nevojën për përdorim të VPN-ve. Sipas raportimeve nga përdorues individualë, platforma ka filluar të funksionojë normalisht këto ditë, duke sinjalizuar një lehtësim të zbatimit të ndalimit të mëparshëm.

Rreth fundit të muajit maj, TikTok u bë objekt i një vendimi për bllokim të aksesit në Shqipëri, në një masë që u justifikua zyrtarisht me arsye sigurie kombëtare dhe shqetësime për përhapjen e përmbajtjeve të papërshtatshme, sidomos gjatë një periudhe të tensionuar politike dhe shoqërore në vend.

Vendimi u kritikua nga një pjesë e opinionit publik si censurë e panevojshme, dhe u shmang përkohësisht nga përdoruesit përmes përdorimit të shërbimeve VPN.

Deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare për rikthimin e aksesit, megjithatë burime jozyrtare tregojnë se bllokimi nuk ishte teknikisht i qëndrueshëm.

Ka gjithashtu sugjerime se presioni publik dhe shqetësimet për lirinë e shprehjes mund të kenë luajtur rol në vendimin për moszgjatjen ose moszbatimin e mëtejshëm të ndalimit.

Rikthimi i TikTok vjen në një kohë kur debatet mbi rregullimin e platformave digjitale janë gjithnjë e më të pranishme në Evropë dhe rajon, me disa vende që po shqyrtojnë rregullore të reja ose ndalime të pjesshme të aplikacioneve të mëdha sociale për arsye sigurie, privatësie apo ndikimi te të rinjtë. /Versus.al

Poll