
Kujtim Cakrani, avokati i Ilir Metës, ka reaguar me tone të ashpra pas daljes nga ambientet e SPAK, ku ish-presidentit iu komunikua zyrtarisht akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
Ai deklaroi se Meta po përdoret si shënjestër politike, ndërsa persona të tjerë që kanë qenë pjesë e strukturave drejtuese të LSI-së, sipas tij, duhet të ishin objekt i hetimit.
“Nuk ka patur ndonjë ndryshim nga ai materiali që është paraqitur kur është kërkuar masa e sigurimit personal. Akuzat nuk qëndrojnë, janë shpjeguar gjatë fazës hetimore, por dhe kur ai (Ilir Meta) është marrë në pyetje. Akuza përfundoi në momentin që përfunduan dhe zgjedhjet, për të hequr vëmendjen nga problemet që kanë zgjedhjet.
Këtu, persona që duhet të ishin të pandehur, janë dëshmitarë. Shumë persona të tjerë që kanë qenë pjesë e LSI të cilët duhet të ishin zyrtarisht të pandehur, dhe jo zoti Meta, sot janë të lirë dhe ushtrojnë dhe funksione publike. Emrat do të vijë një moment që do t’i bëjmë publik”, është shprehur avokati Kujtim Cakrani.
Mbrojtja e Ilir Metës, në deklaratat për mediat jashtë SPAK, theksoi se ai nuk ka vepruar i vetëm brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë periudhës kur akuzohet për lobim me mijëra dollarë në SHBA. Avokati Kujtim Cakrani njoftoi se në një fazë të mëvonshme do të bëhen publike edhe emrat e tjerë të përfshirë.
“Po si thoni ju, zoti Meta ka qenë vetëm në atë parti? Ka pasur grup parlamentar, ka pasur deputetët, ka pasur ministra, pra një Kryesi, funksionarë të lartë në atë parti, të cilët kanë përgjegjësi direkte përsa i përket lobimeve, njohjeve, pagesave. Kjo është një çështje e montuar.
Janë të tjerë persona që mbajnë përgjegjësi dhe për lobimet, dhe kanë firmosur dhe kanë njohje në SHBA. Emrat do dalin, dhe pasi ju të lëxoni dhe dosjet. Kjo çështje do zgjasë, do thirren të gjithë ata persona që kanë firmosur. Ky do jetë procesi i shekullit”, është shprehur avokati i Ilir Metës./Versus.al







