AKTUALITET /

Marrëveshja me Italinë, mbërrijnë në Shëngjin dhjetëra emigrantë nga Egjipti e Bangladeshi (VIDEO)

Në brigjet e Shëngjinit ka mbërritur anija "Cassiopea" me 49 emigrantë në bord.

Shkruar nga Versus

Marrëveshja me Italinë, mbërrijnë në Shëngjin

Mëngjesin e sotëm ka mbërritur në Shëngjin anija “Cassiopea” me 49 emigrantë të paligjshëm të kapur në brigjet e Lampedusës në Itali.

Ky është operacioni i tretë për dërgimin e emigrantëve në qendrat e Gjadrit, pasi dy të mëparshmit dështuan. U desh ndërhyrja e qeverisë dhe gjykatës europiane për t’i dhënë fund ngërçeve ligjore që pengonin zbatimin e kësaj marrëveshje.

Emigrantët e mbërritur janë nga Egjipti dhe nga Bangladeshi. Pas kryerjes së procedurave, do të dërgohen për në kampin e Gjadrit. 

Vetë politikanët italianë në opozitë e kanë kritikuar marrëveshjen me Shqipërinë për strehimin e azilkërkuesve, duke e konsideruar si shpenzim tepër të madh parash për një dështim. Por kryeministrja italiane Giorgia Meloni në asnjë moment nuk hoqi dorë nga ideja e nisur duke u shprehur se qendrat për pritjen e emigrantëve, do të vihen në funksionim me çdo kusht. 

Të dyja qendrat e ndërtuara në Gjadër e Shëngjin të Lezhës, kanë një kapacitet prej 3 mijë emigrantësh në muaj dhe 36 mijë të tillë në të gjithë vitin. Sipas marrëveshjes, emigrantët e paligjshëm të kapur në brigjet e Lampedusës, do të qëndrojnë në këto qendra ndërkohë që u trajtohet kërkesa e tyre për azil në Itali. Në rast se u pranohet, do të transportohen në shtetin italian, në të kundërt do t'u duhet të riatdhesohen. Versus.al

Poll