POLITIKË /

Zyrtarja italiane viziton kampin në Gjadër: 800 mln euro për godina të zbrazura, mund të kishim paguar 6 mijë infermierë

Elly Schlein tha se pavarësisht pritjes nga një staf shumë profesional, kampet e ndërtuar në Lezhë për pritjen e emigrantëve të paligjshëm rëndojnë në xhepat e taksapaguesve italianë.

Shkruar nga Versus

Zyrtarja italiane viziton kampin në Gjadër: 800 mln euro për

Sekretarja e Partisë Demokratike italiane, Elly Schlein ka publikuar në Instagram një video nga qendra e pritjes së emigrantëve të paligjshëm e ndërtuar në Gjadër të Shqipërisë. Teksa tha se struktura është plotësisht e papërdorur, Schelin u shpreh se me shumën e shpenzuar mund të ishin paguar 6 mijë infermierë në Itali për 5 vite.

Ajo e konsideron marrëveshjen Itali-Shqipëri për pritjen e emigrantëve si një marrëveshje që cënon të drejtat themelore të njeriut dhe shkel ligjet italiane e europiane.

“Sapo kemi përfunduar vizitën në qendrën që qeveria italiane donte të ndërtonte duke hedhur 800 milionë euro. Një qendër e zbrazët ku na priti staf shumë profesional nga forca policore, të cilët janë këtu për të vëzhguar sigurinë e një qendre e cila është e zbrazët dhe do të mbetet bosh”, shprehet Schlein.

 

Duke u shprehur se qendra e ndërtuar nuk do të funksionojë kurrë për pritjen e emigrantëve, ajo tha se duhet të reduktohen kostot.  Pak ditë më parë ishte ish kryeministri italian Mateo Renzi, pjesë e opozitës, i cili ka propozuar që këto qendra emigrantësh të kthehen në burgje, ku të vuajnë dënimin shqiptarët që sot ndodhen në burgjet italiane.

“Ajo qendër emigrantesh nuk do të funksionojë kurrë. Por tashmë paratë janë shpenzuar. Propozimi im është i thjeshtë: vendosim në qendrën e emigrantëve rreth 2000 të dënuar shqiptarë që sot janë në burgjet italiane. E mbyllim kështu super dështimin. Reduktojmë kostot dhe të mos mbajmë më karabinierë dhe policë në Shqipëri, duhen në itali. Këta agjentë duhen për rrugët tona. Të transformojmë qendrën e emigrantëve në burg për të dënuarit shqiptarë dhe këtë ta bëjmë menjëherë”, shprehej Renzi.

Qendrat e emigrantëve të ndërtuara në Lezhë deri më tani nuk kanë funksionuar dhe të dy grupet e emigrantëve të paligjshëm të kapur në brigjet e Lampeduzës janë kthyer mbrapsht pasi gjykata italiane e konsideroi të paligjshëm dërgimin e tyre në këto kampe. Ndërkohë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka deklaruar se nuk do të heqë dorë dhe se qendrat do të vihen në funksion për pritjen e emigrantëve. Versus.al

Poll