
Sot në orën 11:30, nis në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake për dosjen “Partizani”, hetimet për të cilën janë mbyllur prej më shumë se 6 muajsh, por ka patur zvarritje të vazhdueshme.
Më herët, u rrëzua kërkesa e mbrojtësve të Berishës për të përjashtuar nga procesi gjyqtaren Flojera Davidhi e cila pritet të vendosë sot nëse do të kalojë për gjykim dosjen me 5 të pandehur, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Mundësitë e tjera janë që dosja të kthehet për plotësim hetimesh, ose çështja të pushohet.
Në seancën e fundit të mbajtur më 5 maj, ditë kur edhe Berisha u paraqit në SPAK në zbatim të masës së tij të sigurisë, ai publikoi para gazetarëve një dokument që sipas tij tregonte se gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka e cila i pati caktuar masë “arrest shtëpie”, ishte e dënuar në Greqi me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë për falsifikim dokumentesh. Me këtë vendim, mbrojtja e ish-kryeministrit kërkoi në seancë paraprake revokimin e vendimit për pavlefshmëri të provave të marra nga Gjoka.
Të pandehurit e dosjes “Partizani”:
Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit – nën akuzë për veprat penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzohet për 'Pastrim Parash'
Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – nën akuzë për veprën penale “pastrim parash”. Versus.al







