
Një person nga Lushnja akuzohet se po denigron online me qëllim përfitimin e parave, një emigrant me banim në Angli.
Denoncimi për Klevis Hoxhën, sic prezantohet personi, është bërë nga vetë emigranti shqiptar i cili ka rënë pre e shantazhit.
Emigranti thotë se jeton prej 5 vitesh në Angli dhe fillimisht është publikuar vetë ai me pretendimin se kishte ndërruar jetë, ndërsa më pas janë publikuar edhe foto të familjarëve të tij me mbishkrime denigruese.
Ai pretendon se nuk është rasti i vetëm dhe se dhjetëra familje të tjera janë bërë objekt i të njëjtës skemë bullizimi dhe shantazhi në rrjetet sociale.
“Jam emigrant në Angli prej 5 vitesh. Dje më publikoi sikur kam vdekur dhe sot po nxjerr familjarët e mi në TikTok. Nuk jam vetëm unë që po bullizohem. Ka shumë persona të tjerë që i publikon dhe i shpall të vdekur. Kërkoj që autoritetet të reagojnë para se situata të përshkallëzohet”, shprehet ai.
Denoncuesi thotë gjithashtu se personi në fjalë u kërkon para qytetarëve në këmbim të fshirjes së postimeve. Ai pretendon se ka paguar rreth 300 paund për të shmangur publikimet, ndërsa shton se familjarët e tij ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike.
Nga komunikimet me redaksinë, vetë denoncuesi pranon se nuk ka siguri absolute nëse identiteti dhe fotografia e personit të prezantuar si “Klevis Hoxha” janë reale, pasi persona që merren me aktivitete të tilla mund të përdorin identitete apo foto të individëve të tjerë.
Rasti ngre edhe një herë nevojën për reagim nga institucionet ligjzbatuese ndaj profileve që përdorin rrjetet sociale për të ushtruar presion psikologjik, përhapur informacion të rremë dhe për të përfituar para nëpërmjet frikësimit apo poshtërimit të qytetarëve.

