Në të gjithë qarqet e vendit, u fal sot namazi i festës së Kurban Bajramit që shënon ditën e përkushtimit ndaj Zotit. Mijëra besimtarë mbushën xhamitë dhe sheshet në qytete të ndryshme dhe uruan njëri-tjetrin për më shumë mbarësi e begati në familjet shqiptare.
Myftinjtë e xhamive në Durrës, Fier, Vlorë, Korçë, Shkodër e Tiranë u bënë thirrje besimtarëve për angazhim më të madh në mënyrë që të kemi shoqëri sa më të mbarë.
Në Shkodër myftiu Arben Halluni u bëri thirrje shqiptarëve që të mos braktisin vendin pa bërë përpjekje për ndryshim. Ai tha se zgjidhja nuk është ikja dhe se nuk mund të presim që kombi ynë të ndërtohet nga të tjerët.
“Thirrja jonë e vazhdueshme është që mos të braktisin vendin dhe të mos largohen pa u përpjekur këtu. Ikja nuk është zgjidhje dhe nuk mund të presim që të tjerët të na ndërtojnë kombin, sepse ne jemi përgjegjës, ashtu siç janë edhe ata që na drejtojnë”, tha Halluni.
Mesazhe për harmoni në familje dhe për lindshmëri më të madhe u dhanë nga drejtuesit fetarë të qarqeve të tjera të vendit. Versus.al











