Që prej muajit qershor e deri më datë 14 gusht, plot 137 persona janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit. 46 prej tyre janë arrestuar ndërsa 91 të tjerë janë proceduar penalisht.
Me anë të një njoftimi zyrtar, policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos tentojnë të ndezin zjarre për të djegur mbeturinat apo prodhime bujqësore për të pastruar territorin pasi ky veprim përbën vepër penale.
“Thirrje për të gjithë banorët: mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse. Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre”- thuhet në njoftim.
Aktualisht situata paraqitet më e përmirësuar teksa banorët e fshatrave të rrezikuar nga flakët në Gramsh po nisin të rikthehen në banesat e tyre për t’u rimëkëmbur nga dëmet që la pas zjarri i përmasave të paimagjinueshme. Versus.al







