Gjykata e Posaçme ka marrë vendim në lidhje me kërkesat e Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt për ndryshimin e masës së sigurisë. Ajo ka refuzuar kalimin nga "arrest në burg" në "arrest shtëpie", pwr dy të pandehurit.
Gjyqtarja e çështjes ka pranuar gjithashtu kërkesën e prokurorisë për zgjerimin e afateve të hetimeve dhe për vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarit për një periudhë tre mujore.
Gjatë seancës, ish-drejtori i SASPAC, Ilir Beqaj, së bashku me avokatin e tij, Ermal Yzeiraj, shprehën përkrahje për zgjerimin e hetimeve, duke kërkuar që të kryheshin hetime të tjera shtesë. Megjithatë, ata ngulën këmbë për ndryshimin e masës së sigurisë, duke argumentuar se një kalim në arrest shtëpie do ishte i arsyeshëm.
Gjyqtarja, pas shqyrtimit të provave dhe argumenteve të paraqitura, vendosi të mos pranojë ndryshimin e masës, duke theksuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për mundësinë e arratisjes së të akuzuarve.
Kujtojmë se Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj u arrestuan më 4 korrik nga SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e SASPAC, ku Beqaj akuzohet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian gjatë kohës që drejtonte këtë agjenci. Procesi vazhdon, dhe publiku po e ndjek me vëmendje zhvillimin e kësaj çështjeje të rëndësishme./Versus.al








