AKTUALITET /

“Mungesë prokurorësh për hetimin e çështjeve”, Çela bën raportimin vjetor në Kuvend: Mbi 6.87 mln euro të sekuestruara gjatë 2023-it

Në raportimin e bërë Çela tha se ka pasur rënie të kriminalitetit gjatë 2023-it.

Shkruar nga Versus
“Mungesë prokurorësh për hetimin e
Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela

Kryeprokurori i përgjithshëm Olsian Çela ka bërë sot raportimin vjetor para Kuvendit për institucionin që drejton. Kështu, ai theksoi se ka një rënie të kriminalitetit për vitin 2023, krahasuar me 2022-in, ndërsa vihet re gjithashtu një rritje e veprave penale të lidhura me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Ndër çështjet të cilat i konsideroi si problematikë, Çela përmendi mungesën e prokurorëve në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se ata aktualë, po përballen me një mbingarkesë të çështjeve.

“Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38 % të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar). Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian”, tha Çela.

Ndërsa në sektorin e hetimeve financiare, Çela tha se janë bërë konfisktime të pasurive dhe aseteve kriminale në kuadër të 24 çështjeve që kanë qenë nën hetim. Në total, janë sekuestruar 97 prona të paluajtshme, 11 llogari bankare me vlerën 2.53 milionë euro dhe 434 milionë lekë në total rreth 6.87 milionë euro. Ndërkohë është kryer konfiskimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe 500 mijë euro.

“Sa i përket hetimeve financiare dhe pasurore për sekuestrimin/konfiskimin e pasurisë, në vitin 2023, kuadrin e hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas nenit 287 të K.Penal dhe për vepra të tjera penale të lidhura me to, në zbatim te nenit 36 të Kodit Penal dhe neneve 274 dhe/ose 210, 190 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: -konfiskime pasurie/aseteve kriminale në kuadrin e 6 çështjeve, numër i njëjtë me vitin 2022 , dhe -sekuestrime pasurie/aseteve kriminale në kuadrin e 24 çështjeve, nga 18 për vitin 2022.

Në zbatim të nenit 3/1 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, në kuadrin e procedimeve/hetimeve pasurore, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: -8 konfiskime pasurie/asete kriminale dhe -10 sekuestrime pasurie/asete kriminale nga 7 në vitin 2022. Në shifra, rezulton se janë sekuestruar rreth 97 prona  të paluajtshme, 16 340 m2 truall, 28 746 m2 arë, 11 llogari bankare në vlerën rreth 2,53 milionë euro dhe 434 milionë lekë, në total rreth 6.87 milionë euro etj. Ndërkohë është kryer konfisikimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 000 euro”- thuhet në raportin e prezantuar nga Çela.

Për dekriminalizimin, kryeprokurori përmendi rastet e hetimit ndaj 9 zyrtarëve të administratës publike për plotësimin e formularit të deklarimit me të dhëna të rreme.

“Nga rastet për të cilat ka përfunduar procesi i verifikimit të thelluar në vitin 2023 dhe miratuar rezultati, mbështetur në nenet 69, 74 e 76 të Kodit të Procedurës Penale, për 9 persona, materiali është kaluar për kompetencë në prokuroritë përkatëse, si të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, nga të cilat 4 janë për kërkesat e vitit 2023, 2 (dy) për kërkesat e vitit 2020 dhe 3 (tre) për kërkesat e vitit 2021. Personat që kanë rezultuar të kenë plotësuar formularin e vetëdeklarimit me të dhëna të rreme, ju përkasin kërkesave për verifikim të ardhura si vijon: 8 (tetë) nga Departamenti i Administratës Publike; 1 (një) nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”- shtoi Çela.

Sot institucionet e drejtësisë raportojnë para Kuvendit të Shqipërisë për punën e tyre vjetore gjatë 2023-it. Versus.al

Poll