AKTUALITET /

Naim Murseli dërgohet për ekzaminim psikiatrik, avokati i Liridona Ademajt: Përpjekje për të shmangur dënimin!

Naim Murseli raportohet se është shtruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në QKUK dhe gjatë ditës është dërguar edhe në Klinikën e Neurologjisë.

Shkruar nga Versus

 

Naim Murseli dërgohet për ekzaminim psikiatrik, avokati i Liridona

Avokati i familjes së Liridona Ademajt, e ka cilësuar si përpjekje për të shmangur dënimin me burg përjetë të Naim Murselit vendimin e Gjykatës për ekzaminimin psikiatrik të këtij të fundit.

Avokati Leutrim Syla tha se veprim është një përdorim i padrejtë i procedurave ligjore me synim vonimin e procesit gjyqësor apo përpjekje për të lehtësuar përgjegjësinë penale të të akuzuarit.

“Vendimi i gjykatës për të pranuar këtë kërkesë është në përputhje me procedurat ligjore, por nga ana jonë shihet si një manovër e mbrojtjes për të vonuar procesin ose për të shmangur përballjen e plotë me drejtësinë. Kjo është një taktikë që shpesh përdoret për të ndikuar në zbutjen e dënimit përmes mekanizmave shëndetësorë apo për ta paraqitur të pandehurin në një dritë tjetër përpara gjykatës,” deklaroi Syla.

Ai shtoi se në raste të ngjashme në të kaluarën, ekzaminimet psikiatrike janë përdorur si mjet për të penguar drejtësinë apo për të krijuar baza për arratisje.

“Ka pasur mjaft raste kur këto ekzaminime janë keqpërdorur, por në përfundim ka rezultuar se i akuzuari është mendërisht i shëndetshëm. Në këtë rast konkret, përballja e Naim Murselit me një dënim të mundshëm të përjetshëm e shtyn atë të përdorë çdo hap të mundshëm ligjor për të zbutur pasojat, dhe ndoshta kjo është përpjekja e tij e fundit për të ndikuar në vendimin përfundimtar të gjykatës,” përfundoi Syla.

Po ashtu, ai deklaroi se familjarë të së ndjerës e kanë pritur me frikë këtë zhvillim, ndërsa ka bërë thirrje për ekzaminim të drejtë.


“Si përfaqësues i familjes shpreh në njërën anë shpresën që i gjithë ky proces të zhvillohet konform ligjit dhe të vendoset në mënyrë të drejtë dhe profesionale. Duke pasur parasysh që ka pasur çdoherë dyshime në këto institucione, kur është vendosur me ekzaminimet e ngjashme, familja shpreh shqetësimin dhe frikën mos do të ketë ndikime të mundshme në vendimmarrje që do të bëhet në përpilimin e raporteve dhe ekzaminimit psikiatrik. Jemi me shpresë që çdo gjë do të shkojë mirë”, ka theksuar ai më herët.

Sipas mediave në Kosovë, me urdhër të Gjykatës, ka nisur ekzaminimi psikiatrik i Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Naim Murseli raportohet se është shtruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në QKUK dhe gjatë ditës është dërguar edhe në Klinikën e Neurologjisë.

Shpend Haxhibeqiri, drejtor i QKUK-së, ka thënë se Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik dhe do të qëndrojë aty derisa stafi mjekësor ta vlerësojë të mjaftueshme praninë e tij.

Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, avokatja e Murselit e ka justifikuar duke thënë se klienti i saj ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme. Gjykata, e cila e ka miratuar kërkesën, ka vendosur që procesi të kryhet brenda 2 javësh.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli ka deklaruar se është i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.

Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, gjatë inskenimit të një grabitjeje.

 

 

Poll