Universiteti i Tiranës dhe i gjithë komuniteti akademik janë sot në zi për ndarjen nga jeta në moshën 63 vjeçar të Prof. Fatmir Memaj, zëvendësdekan dhe një ndër profesorët më të vlerësuar të Fakultetit të Ekonomisë.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga familjarët dhe miqtë e shumtë të profesorit, të cilët kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij.
“Me hidhërim të madh, ju njoftojmë se në orët e para të mëngjesit të sotëm, u nda nga jeta para kohe Profesori ynë i dashur, Fatmir Memaj,” shkruan familja në njoftimin zyrtar.
Një profesor i përkushtuar dhe një mbështetës i palodhur i studentëve dhe kolegëve të rinj, Prof. Memaj ishte për shumëkënd më shumë se një pedagog: një mentor, një shembull dhe një mik i vërtetë.
Për vite me radhë, ai ligjëroi me pasion statistika, demografi dhe teknika kërkimi, duke përcjellë njohuri dhe vlera të rralla.
Pavarësisht buzëqeshjes dhe qetësisë që e karakterizonte, Prof. Memaj mbante në zemër një dhimbje të madhe: humbjen e të birit, Aleksit, vetëm 14 vjeç, në vitin 2016. Vdekja e Aleksit, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, la plagë të pashërueshme në jetën e tij. Miqtë dhe kolegët kujtojnë se që prej asaj kohe, ai jetonte çdo ditë me mallin dhe lutjet për t’u ribashkuar me të.

Në atë kohë, Universiteti i Tiranës dhe studentë të shumtë u bashkuan në një fushatë sensibilizimi për të mbledhur fondet e nevojshme për kurimin e Aleksit jashtë vendit. Pavarësisht përpjekjeve dhe sakrificave të prindërve të tij, fati ishte i pamëshirshëm.
Sot, Prof. Fatmir Memaj largohet nga kjo botë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer dijesh, dashurie për studentët dhe shembulli të një njeriu të vërtetë. /Versus.al/








