
Personi që shihni në foto, me gishtin drejtuar lart është Xhulio Malo, 26 vjeçari i arrestuar ditën e sotme nga policia e Shkodrës si bashkëpunëtor në vrasjen e Elis Rroshkodollit në zonën e Zdrales më 30 gusht.
I riu akuzohet se ka siguruar mjetet për 3 vrasësit e “ushtarit” të grupit të Bajrave në Shkodër. Malo dyshohet se ka qenë garanti për mjetin e përdorur nga autorët ditën e vrasjes, për ta çmontuar më pas dhe për ta fshehur në një garazh në Tiranë.
Por Malo, nuk është një emër i panjohur për policinë e shtetit pasi në vitin 2015 kur ishte vetëm 17 vjeç ai u arrestua për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha gjatë të shtënave me armë zjarri në Lazarat.
Në 2015-ën, efektivët e policisë u sulmuan me të shtëna me armë zjarri nga një grup personash të maskuar. Malo, asokohe adoleshent deklaroi në polici se sulmi planifikohej pre 6 muajsh me qëllim për të kthyer fshatin e Lazaratit në gjendjen e tij të mëparshme, ku kultivoheshin lëndë narkotike pa asnjë shqetësim.
Ai rrëfeu gjithashtu se sulmi drejtohej nga dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko të cilët hapën zjarr në drejtim të furgonit ku mbeti i vdekur ish-polici i RENEA-s Ibrahim Basha. Versus.al







