Shkodër- Policia ka zbardhur vrasjen e Elis Rroshkodolli të ndodhur më 30 gusht në zonën e Zdrales ku i ndjeri u qëllua teksa pinte kafe në një lokal. Mësohet se disa prej personave të shoqëruar lidhur me vrasjen, dhanë dëshmi që ndihmuan në zbardhjen e krimit.
Në pranga ka rënë 26 vjeçari Xhulio Malo i cili ndihmoi 3 autorët e ngjarjes të cilët realizuan ekzekutimin e ushtarit të Bajrave. Gjithashtu sipas policisë, është zbuluar në Tiranë dhe baza ku autorët mbanin makinat e vjedhura në Evropë dhe i përdornin për vrasje në vend. Të shpallur në kërkim si autorë të vrasjes së Rroshkodolit në Shkodër janë J.Xh, 31 vjeç, V.Xh 38 vjeç dhe D.M 42 vjeç, të cilët dyshohet se veprojnë si grup vrasësish me pagesë.
"Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç"- njofton policia.
Rroshkodoli u ekzekutua me breshëri plumbash më 30 gusht teksa pinte kafe brenda një lokali. Autorët ia mbathën nga vendngjarja ndërsa policia u vu në ndjekje të tyre por pa mundur t'i kapte. Viktima njihet si person me precedentë të mëparshëm në BE, ku ishte arratisur nga Rumania pas plagosjes së pronarit të një klubi nate si dhe ishte shpallur në kërkim nga Belgjika për grabitje me dhunë dhe plagosje. I konsideruar si "ushtar" i grupit të Bajrajve, në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu, i cili njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit. Versus.al







