Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të fokusohet më shumë në zhvillimin e turizmit bregdetar, veçanërisht në qytetin e Durrësit.
Ai theksoi se dikur Shqipëria nuk kishte një legjislacion të duhur për turizmin, as rregullore për plazhet dhe as një sistem bashkëpunimi mes institucioneve dhe sektorit privat, duke krijuar një kaos që tashmë është adresuar.
Rama theksoi investimet e mëdha që janë bërë në plazhin e Durrësit, përfshirë ndërtimin e shëtitorës dhe zgjerimin e pjesës ranore me 100 metra. Në vitin që vjen, do të lidhen plazhi i Durrësit me plazhin e ri të Durrës Marina, një projekt që do të rrisë vlerën e turizmit dhe investimeve të turoperatorëve.
“Ajo që vlen të kuptohet se ajo ckemi bërë është e rëndësishme të kuptohet se si ishim. Në plazhin e Durrësit kemi bërë investim të madh kapital për të gjithë pjesën e shëtitores që nuk mjafton. Kemi parashikuar zgjerimin e pjesës ranore me 100 metra.Vitin e ardhshëm do të lidhim pjesën e këtij plazhi me plazhin e ri të Durrës Marina. Kjo do të rritë vlerën e plazhit dhe investimeve të turoperatorëve. Kemi parë me shumë vëmendje projektet e reja. Ju inkurajoj që cdo tullë ta vini me cilësi”, tha Rama.
Ai inkurajoi gjithashtu ndërtuesit dhe drejtuesit e projekteve që çdo investim të bëhet me cilësi të lartë. /Versus.al/








