Një tjetër tragjedi trondit Italinë. Gentiana Hudhra, 45 vjeçe, me origjinë shqiptare, u vra brutalisht me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, 55-vjeçari po ashtu shqiptar, në mes të qytetit Tolentino, pranë Maceratës.
Krimi i tmerrshëm ndodhi të shtunën pasdite, në Viale Benadduci, para syve të kalimtarëve. Viktima u qëllua disa herë me thikë kuzhine, pavarësisht britmave të saj dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve. Ndihma mjekësore që mbërriti me urgjencë, e gjeti 45-vjeçaren pa shenja jete.
Autori i dyshuar, ish-bashkëshorti i saj, nuk u përpoq të arratisej. Karabinierët e gjetën të ulur në një stol pranë vendit të krimit, të hutuar dhe pa bërë rezistencë.
Gentiana Hudhra, nënë e dy fëmijëve të rritur (21 dhe 23 vjeç), ishte ndarë nga autori rreth 3 vjet më parë. Deri tani nuk ishin raportuar episode dhune mes çiftit.
Sipas hetimeve, 55-vjeçari dyshohet të vuante nga çrregullime psikike, por autoritetet po presin vlerësimin mjeko-ligjor.
Vetëm pak muaj më parë, Ilaria Sula, një studente shqiptare 22-vjeçare, u vra tragjikisht në Itali nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, një filipinas 23-vjeçar. Ngjarja ndodhi në fund të marsit 2025, kur Ilaria u zhduk dhe më vonë u gjet e pajetë e fshehur në një valixhe. Samson e pranoi krimin dhe e hodhi trupin e saj në një humnerë rreth 40 km larg Romës. Pas vrasjes, ai përdori telefonin e Ilarisë për të dërguar mesazhe të rreme tek miqtë dhe familjarët e saj, duke u përpjekur të krijonte alibi. Versus.al







