Unpublished /

'Nuk dënjoi as të na priste'/ Skandal: Drejtori Erind Çela i BKT– së, bllokon rrogat e gazetarëve

Konflikt mes gazetës “Kushtrim Brezash” dhe BKT-së, kryeredaktori Albert Zholi akuzon drejtorin Erind Çela për bllokim arbitrar të llogarisë dhe lënien pa paga të gazetarëve.

Shkruar nga Versus
'Nuk dënjoi as të na priste'/ Skandal: Drejtori Erind
Foto montazh: BKT dhe Drejtori Erind Çela

Një konflikt mes drejtuesve të gazetës “Kushtrim Brezash” dhe një dege të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) ka sjellë akuza për bllokim të pajustifikuar të llogarisë bankare, duke lënë punonjësit pa paga prej më shumë se një muaji.

Sipas kryeredaktorit Albert Zholi, bllokimi i llogarisë së organizatës që financon gazetën ka paralizuar plotësisht aktivitetin, duke sjellë mosshlyerjen e pagave, detyrimeve financiare dhe ndërprerjen e botimit të gazetës për abonentët.

Ai pretendon se vendimi është marrë nga drejtori i degës së BKT-së “21 Dhjetori”, Erind Çela pas një ankese nga një person që, sipas tij, nuk ka status ligjor përfaqësimi në organizatë dhe ka përdorur dokumentacion të dyshuar si të pavlefshëm.

Zholi shkruan se zoti Çela nuk denjoi as t'i takonte, sikur të ishin banditë që sipas tij është një situatë e pashembullt.

Në reagimin e tij, Zholi kërkon zhbllokimin e menjëhershëm të llogarisë dhe rikthimin e funksionimit normal financiar, duke paralajmëruar ndjekje të rrugëve ligjore dhe protesta në rast të mungesës së zgjidhjes.

Nga ana tjetër, deri tani nuk ka një reagim publik nga banka lidhur me këto pretendime.

Çështja pritet të shqyrtohet më tej, ndërsa gazetarët thonë se situata ka krijuar vështirësi serioze ekonomike për stafin dhe familjet e tyre.

Reagimi i plote i UGSH:

Leter prane UGSH nga kryeredaktori i “ Kushtrim Brezash”:

Drejtor, Erind Çela i BKT-së, bllokon arbitrarisht rrogat e gazetarëve të “Kushtrim Brezash”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
ORGANIZATA E VETERANËVE DHE PASARDHËSVE TË LUFTËS NACIONALÇLIRIMTARE
(OVP e LANÇ-it)
Tiranë

Drejtuar:
Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)
Z. Seyhan Pencablıgil
Tiranë

Për dijeni:

Z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë-Tiranë
Lidhja e Gazetarëve Ndërkombëtarë-Bruksel
Lënda: Kërkesë për zhbllokimin urgjent të llogarisë bankare të OVP të LANÇ-it për marrjen e rrogave nga gazetarët

I nderuar Z. Drejtor,

Po ju shkruajmë si staf gazete për herë të dytë, në pritje të përgjigjes së parë. Me Vendimin nr. 1549, datë 14.12.2005, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është regjistruar si organizatë jofitimprurëse Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Nacionalçlirimtare (OVP e LANÇ-it), me seli në Tiranë, rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.

Pranë bankës suaj janë depozituar si firmë e parë e autorizuar z. V. M, dhe si firmë e dytë z. J. H, Shef Finance. Këta përfaqësues kanë operuar rregullisht për më shumë se tre vite, deri në datën 23.04.2026.

Në mënyrë të papritur dhe pa asnjë bazë ligjore, pas kësaj date (23.04.2026) drejtori i degës së BKT-së “21 Dhjetori”, Tiranë, ka urdhëruar bllokimin e llogarisë bankare të organizatës sonë, duke paralizuar plotësisht veprimtarinë e saj. Ky veprim ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, si:

Mosshlyerjen e pagave të punonjësve;
Moslikuidimin e detyrimeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore;
Mosshlyerjen e detyrimeve ndaj botuesit të gazetës “Kushtrim Brezash”;
Ndërprerjen e botimit të gazetës “Kushtrim Brezash” për mbi 6500 abonentë parapagues, duke cenuar të drejtën kushtetuese për informim.
Ky bllokim bie ndesh me parimet e funksionimit të një institucioni bankar në një shtet demokratik dhe ligjor. Megjithëse kemi paraqitur dokumentacionin e plotë dhe argumentet ligjore përkatëse, kemi hasur në refuzim arbitrar dhe trajtim të padrejtë nga drejtuesi i degës “21 Dhjetori”.

Sipas informacionit tonë, ky veprim është ndërmarrë mbi bazën e një ankese me shkrim të bërë nga një person i cili nuk ka qenë dhe nuk ka depozituar firmën tek JU. Ky person nuk ka asnjë të drejtë përfaqësimi apo firmë në organizatë dhe, për më tepër, ka përdorur dokumentacion dhe vulë të falsifikuar, duke konsumuar elementë të një vepre penale. Në një shtet demokratik, askush nuk mund të kërkojë bllokimin e fondeve të një organizate pa një vendim gjykate ose pa status të ligjshëm përfaqësimi. Në të kundërt, krijohet një precedent i rrezikshëm ku çdo individ, nga rruga, apo pa tagër ligjor, mund të cenojë funksionimin normal të institucioneve dhe organizatave.

Argumenti i degës së Bankës tuaj tek “21 dhjetori” se “duhet të zgjidhni problemet e brendshme” nuk qëndron, pasi personi që ka kërkuar bllokimin nuk është pjesë e organizatës sonë dhe nuk gëzon asnjë të drejtë ligjore mbi të. Si pasojë e këtij bllokimi arbitrar, gazetarët dhe punonjësit tanë kanë më shumë se një muaj pa u paguar. Familjet dhe fëmijët e tyre po përballen me vështirësi ekonomike dhe diskriminim të padrejtë për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të individëve pa autoritet ligjor.

Për sa më sipër, kërkojmë:

Zhbllokimin e menjëhershëm të llogarisë bankare të OVP të LANÇ-it;
Rikthimin e funksionimit normal të aktivitetit financiar të organizatës;
Verifikimin administrativ dhe ligjor të procedurës së ndjekur nga drejtuesit e degës përkatëse të BKT-së.
Ngritjen e një grupi pune nga ju për saktësimin e veprimit ligjor mbi firmën e depozituar
Në rast se kërkesa jonë nuk merr zgjidhje brenda një afati të arsyeshëm, do të detyrohemi të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike që parashikon legjislacioni shqiptar, përfshirë protesta publike, grevë urie para ambienteve tuaja dhe forma të tjera të reagimit qytetar. Si do vepronit ju nëse dikush pa asnjë atribut ligjor do ndërhynte me letra të falsifikuara për ndërprejen e rrogës tuaj?!

BKT dega “21 Dhjetori” Tiranë –

Z. Drejtor Erind Çela
Tek dega pranë 21 Dhjetorit, në Rrugën e Kavajës që drejtoni ju, jemi ndjerë të fyer nga sjellja juaj, pasi nuk denjuat as të na takonit, sikur të ishim banditë. Një situatë e pashembullt.
Nuk mund të lëmë fëmijët e gazetarëve pa bukë. Historia do të na gjykojë të gjithëve. Ne si shoqëri reagojmë vetëm kur ndodhin ngjarjet madje habitemi.
Ne kërkojmë vetëm drejtësi, jo njëanshmëri. Vetëm zbatim të ligjit.
Nëse personi që ka drejtuar letrën ka depozituar firmën pranë bankës dhe njihet ligjërisht si kryetar apo si depozitues firme, apo ka një vendim gjykate që e përcakton këtë status, atëherë ne tërhiqemi. Por gjithçka duhet të bëhet vetëm mbi bazën e ligjit dhe dokumentacionit zyrtar.
Kërkojmë transparencë dhe respekt institucional. Mos veproni jashtë ligjit dhe mbi baza miqësore siç është shprehur në ambiente publike letërdërguesi.

Me respekt,

Albert Zholi
Kryeredaktor i gazetës
“Kushtrim Brezash”/Versus.al

Poll