Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e radhës ndaj ish-drejtorëve të bashkisë Tiranë të cilët janë marrë të pandehur për aferat në dosjen “5D”. dëshmitarja e radhës ka qenë Pranvera Shahinasi e cila ka mbajtur postin e ekonomistes në shoqërinë “Igor Elektrik”.
Ajo mohoi të ketë mbajtur ndonjëherë para “cash” në zyrën e saj, ndërsa foli edhe për ish-drejtorin e bashkisë Tiranë, Mariglen Qaton për të cilin tha se e shihte shpesh të vinte në kompani dhe të takohej me administratorin Eduart Meta, por shtoi se nuk e dinte nëse Qato ishte apo jo bashkëpronar.
Pjesë nga dëshmia e Shahinasit:
Jam financiere. Shahinasi është mbiemri i burrit. Unë mbaj edhe mbiemrin Mema, të babait. Kam punuar në 2016-2019 si ekonomiste në shoqërinë “Igor Elektrik”.
Detyrat na i caktonte administratori Eduart Meta. Më pas u ndërrua me Nestor Muhametllari. Unë kam aplikuar në faqet e punësimit. Nestorin e pata parë edhe me herët në shoqëri. Kur vinte ai takonte administratorin Meta. Ne merreshim me punime elektrike, kryesisht.
Ne mbanin mandat pagesa ne shoqëri. I firmoste edhe administratori. Para cash në zyrë unë nuk kam mbajtur. Pjesën e arkës nuk e kisha unë. Dokumente me përshkrimin “honorar” nuk është se mbaj mend. Ka kaluar edhe shumë kohë. Më kanë pyetur për këtë edhe më herët në prokurori. Po, e kam parë në dokumente të shoqërisë. Mund të kenë qenë lekë që mund të jenë dhënë për dikë.
Ishin pagesa për shërbime. Mariglen Qaton e njoh. Ka qenë person që ka ardhur në zyrat e shoqërisë. E kam parë më shumë se një herë. Kur vinte takonte administratorin. Nuk mund ta them nëse Mariglen Qato ishte ortak i shoqërisë. Në QKB ortak ishte Eduardi. E-mailin e shoqërisë e ka përdorur me herët edhe bashkëshortja e Eduardit, pasi ishte ekonomiste.
Kur më kanë dhanë direksione për të dërguar maile e kam bërë. Edhe mundet t’i kem dërguar mail Mariglen Qatos. Kur më thoshte administratori këtë informacion do ia dërgosh filan personi e dërgoja.
Dëshmitarja u njoh nga SPAK me aktin shkresor, mail, ku i ka dërguar Mariglen Qatos një listë përmbledhëse, informacion financiar të shoqërisë. Versus.al







