AKTUALITET /

“‘O Zeni, hajde zemra ime…’ – Përgjimet që zbuluan pazaret e drogës nga burgu i Elbasanit

Përgjimet zbardhin rrjetin e drogës në burgun e Elbasanit, ku policia Ndriçim Kroi bashkëpunon me Esmeralda Komicin për të futur lëndë narkotike sipas porosisë së Gerald Stamollës. Bisedat tregojnë pazare për shuma si 550 mijë lekë, dorëzime të shpejta me “Zenin” dhe konflikte për “pakot” e humbura.

Shkruar nga Versus
“‘O Zeni, hajde zemra ime…’ – Përgjimet
Polici i burgjeve, Ndriçim Kroi

Përgjimet nga dosja hetimore e Prokurorisë së Elbasanit në lidhje me arrestimin e tre personave, Ndriçim Kroi, Gerald Stamolla dhe Esmeralda Komici, të cilët dyshohen se fusnin lëndë narkotike në burgje, janë zbardhur.

Nga aktet rezulton se, përmes bisedave telefonike dhe mesazheve, hetuesit kanë dokumentuar mënyrën si organizoheshin porositë, si merrej “pakoja” jashtë, dhe si sigurohej futja e saj brenda ambienteve të paraburgimit, ku më pas dyshohet se shpërndahej kundrejt pagesave të majme tek të paraburgosurit.

Skema e dyshuar

Sipas dosjes hetimore, punonjësi i policisë së burgut, Ndriçim Kroi, akuzohet se fuste rregullisht kanabis dhe kokainë në ambientet e paraburgimit, kundrejt pagesës 100–200 euro për çdo futje, në varësi të llojit dhe sasisë së drogës.

Lënda narkotike sigurohej jashtë nga Esmeralda Komici, ndërsa brenda qelive shpërndahej nga i paraburgosuri Gerald Stamolla (Geraldi), i cili dyshohet se e shiste te të tjerë të paraburgosur.

Hetimet tregojnë se Komici paraqitej si familjare e të paraburgosurit, duke u bërë hallka kryesore mes tregtarëve të drogës jashtë dhe kërkesës brenda burgut.

Për të mos rënë në sy, Kroi dyshohet se kamuflonte të ardhurat e paligjshme duke u shfaqur si shitës ambulant telefonash e sendesh të përdorura në Elbasan.

Bisedat e përgjuara nga dosja e zbardhur: “O Zeni, hajde zemra ime se tani sa e mora”

Në dosje janë pasqyruar me detaje bisedat e Esmeralda Komicit me persona të ndryshëm, mes tyre një i identifikuar si “Zeni”, ku flitet për “porosi”, shuma parash dhe lëvizje të shpejta në qytet.

Në një nga bisedat e datës 30.06.2025 ora 19:55, Esmeralda i thotë “Zenit”: “O Zeni, hajde zemra ime se tani sa e mora, po hajde në shtëpia ime”, ndërsa ai i përgjigjet se do të marrë taksi dhe do të shkojë te ajo, çka për prokurorinë përputhet me momentin e marrjes së lëndës narkotike.

Më vonë, në të njëjtën mbrëmje, Esmeralda i thotë një personi tjetër: “Lali te posta po vi… 40, mos më bë numëra të jesh me mangut se nuk jam mirë jo 30 jo budalliqe”, duke lënë të kuptohet se flitet për një shumë fikse që nuk pranon ta ulë.

Në një SMS tjetër ajo shkruan: “O jeta un po shkoj ke Ivi me marr gjë… Futu te tyneli se do i rrëshkas këtij”, duke sinjalizuar lëvizjen për të marrë “mallin” dhe për ta çuar te personi pritës.

Konflikti për 550 mijë lekë dhe “pakot”

Nga bisedat mes Komicit dhe Geraldit në fund të korrikut 2025, zbulohet një konflikt i fortë për shuma parash dhe një “pako” që nuk ka mbërritur ose është konsumuar.

Geraldi e urdhëron: “Shife mer atë që të mbarosh punë sot dhe mere cifën në telefon që të vi ta mari”, ndërsa Komici i kthen: “Ai çmim bëhet vetëm në fundjavë, se atëherë e japin aq, vetëm nga fundjava!”.​

Në një tjetër bisedë, Esmeralda i thotë se “pakon që e solla aty e ka cifti”, duke lënë të nënkuptohet se mallin e ka një çift jashtë.

Ajo shton se është nën presion, pasi “i thonë 550 milek që u kam marë un atyre”, ndërsa Geraldi e akuzon se i ka prishur 100 mijë lekë më herët dhe i ka marrë 400 mijë të tjera.

Dialogu degradohet në ofendime, duke ekspozuar konfliktin ekonomik brenda skemës së dyshuar të trafikut të drogës.​

Në vijim, Geraldi i thotë të mos flasë gjatë në telefon dhe të mbyllë çdo gjë shpejt, duke theksuar:

“Sa më pak fjalë aq më mirë për këtë gjëra”, ndërsa këmbëngul që “cifti” të marrë mbrëmjen e asaj dite mallin, në mënyrë që ai të mos “dalë nga fjala” me personat e tjerë.

Këto pasazhe konsiderohen kyçe nga prokuroria për të treguar jo vetëm ekzistencën e rrjetit, por edhe presionin ekonomik e rrezikun mes palëve.​

Roli i Prokurorisë dhe masat e sigurisë

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën “arrest me burg” për tre personat kryesorë: policin e burgut Ndriçim Kroi, Esmeralda Komicin dhe të paraburgosurin Gerald Stamolla, duke i konsideruar si një grup të strukturuar që siguronin dhe shpërndanin drogë në qeli.

Për të blinduar provat, janë përdorur përgjime telefonike, përgjime ambientale dhe agjentë të infiltruar, të cilëve Komici u ka shpjeguar madje edhe diferencat e çmimeve mes hashashit dhe “atë tjetrën” që kushton 200 mijë lekë.

Nga dosja rezulton se hetimi ka nisur në fund të qershorit 2025 dhe ka vijuar për muaj me radhë, duke dokumentuar komunikime të përditshme mes Esmeralda Komicit dhe Geraldit nga kabina telefonike e burgut, si edhe lëvizjet e Krojt në qytet gjatë dhe jashtë orarit të punës.

Prokuroria dyshon se ky nuk është një rast i izoluar, por një model i ripërsëritur se si rrjetet e drogës adaptohen brenda sistemit penitenciar, duke përdorur punonjës shteti dhe familjarë për të kthyer burgun në treg të sigurt për substancat narkotike./Versus.al

Poll