Marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për emigrantët duket se do të shërbejë si pararojë e një praktike të vazhdueshme edhe për vendet e tjera të Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u ka dërguar një letër liderëve të BE-së përpara Këshillit Evropian në 17-18 tetor, ku i fton që ta shohin si mundësi që emigrantët e jashtëligjshëm t’i dërgojnë në vende të treta, të sigurta jashtë Unionit.
“Ne duhet të vazhdojmë të eksplorojmë rrugët e mundshme për të ndjekur një politikë të zhvillimit të qendrave të riatdhesimit jashtë BE-së, veçanërisht në funksion të një propozimi të ri legjislativ për riatdhesimet. Me nisjen e operacioneve të parashikuara nga protokolli Itali-Shqipëri do të mund të nxjerrim edhe mësime praktike. Të punojnë në mënyra inovative për të luftuar migracionin e paligjshëm", tha ajo.
Për këtë arsye, Von der Leyen vë theksin për rishikimin e listës së atyre që quhen “vende të sigurta”.
“Ne jemi angazhuar tashmë për të rishikuar konceptin e vendeve të treta të përcaktuara të sigurta deri në vitin e ardhshëm. UNHCR dhe IOM janë të gatshëm të punojnë me BE-në për një qasje të kujdesit të plotë, duke ndihmuar ata që kërkojnë azil pa pasur nevojë të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme nëpër Mesdhe“, nënvizon Von der Leyen.
Letra vazhdon duke thënë se emigracioni duhet të shihet si një sfidë themelore e përbashkët, e si e tillë do duhet të gjendet e zgjidhja.
“Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim një qasje gjithëpërfshirëse për menaxhimin e migracionit. Kjo duhet të kombinojë veprime të forta të brendshme dhe të jashtme, me mbrojtjen më efektive të kufijve të jashtëm të BE-së dhe një luftë të vendosur kundër kontrabandës së emigrantëve duke adresuar shfrytëzimin e migracionit”, përfundon presidentja e Komisionit Europian.
Marrëveshja Shqipëri-Itali
Marrëveshja me Italinë për strehimin e emigrantëve është firmosur për 5 vitet e ardhshme ku përgjatë kësaj periudhe në Gjadër dhe Shëngjin kampet e ndërtuara do të shërbejnë si vendstrehim për 36 mije emigrantë në vit ndërkohë që Italia shqyrton kërkesat e tyre për azil. Nga kjo marrëveshje, e pakonsultuar me qytetarët, Shqipëria nuk ka asnjë përfitim ekonomik, por marrëveshja është konsideruar nga shtetet e mëdha si një model për t’u ndjekur për të menaxhuar krizën me emigrantët e paligjshëm.
Në këtë kuadër, 16 emigrantët e parë kanë mbërritur sot me anijen “Libra’ nga Lampeduza e Italisë në portin e Shëngjinit, ku janë akomoduar në kampin e Gjadrit deri në shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil. Bëhet fjalë për 10 emigrantë nga Egjipti dhe 6 nga Bangladeshi të kapur në det të hapur, për të cilët u kryen procedura të përshpejtuara nga policia kufitare në portin e Shëngjinit ndërsa menjëherë pas kësaj, Italia mori në shqyrtim kërkesat e tyre për azil./Versus.al








