AKTUALITET /

Strehoi Hajrin dhe informoi kriminelët, kalon për gjykim dosja e ish-deputetit të PS! Çyrbja kërkon gjykim të shkurtuar

Ndaj ish-ligjvënësit të PS rëndojnë tre akuza të rënda penale.

Shkruar nga Versus

Strehoi Hajrin dhe informoi kriminelët, kalon për gjykim dosja e

Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të ish-deputetit të Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja i cili u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar në qytetin e Durrësit.

Çyrbja akuzohet për nxjerrje të sekretit shtëtëror, krim zgjedhor dhe përkrahjen e autorit të krimit. Avokati i ish-deputetit ka kërkuar gjykim të shkurtuar për klientin e tij që në njëfarë mënyrë pranon që procesi gjyqësor të zhvillohet pa gjykim të thelluar të fakteve.

Ish-deputeti dha dorëheqjen nga mandate pasi u mor në pyetje nga SPAK duke pretenduar se kishte një problem shëndetësor dhe se i duhej të shkëputej nga politika. Pak ditë më pas u arrestua dhe dosja e tij nxorri në pah të dhëna tronditëse.

Çyrbja akuzohet se ka strehuar njërin prej personave të shumëkërkuar, Altin Hajrin, kreun e klanit “Hajri” të shpallur në kërkim në 2020-ën për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në kompleksin “Golden” në Pjezë. Gjithashtu Çyrbja si anëtar i komisionit të sigurisë dispononte informacione për operacione të caktuara të policisë dhe informonte elementë kriminalë që të largoheshin nga Durrësi. Një tjetër akuzë penale ndaj tij është krimi zgjedhor. Çyrbja u rendit papritmas i treti në listën e kandidatëve të Durrësit dhe dyshohet se anëtarë të grupit kriminal të Altin Hajrit u angazhuan që Çyrbja të zgjidhej deputet. Megjithatë SPAK ende nuk i ka dhënë përgjigjie dilemës se cili prej zyrtarëve të PS caktoi renditjen e Çyrbjes në listën e kandidatëve për Durrësin. Versus.al

Poll