
Sot Gjykata e Posaçme publikoi vendimin për konfiskimin e 27 pasurive të Kreshnik Budllës (Farruku) dhe Erneo Farrukut, por gjithashtu njoftoi heqjen e sekuestros ndaj 40 pasurive të tjera që dyshohet se ishin siguruar nga veprimtaria kriminale.
Kreshnik Budlla rezulton të jetë kreu i grupit kriminal ndaj të cilit u organizua një megaoperacion me disa të arrestuar në Itali dhe 2 të arrestuar në Manëz, Arjanit Maloku e Jurgen Kaçurri të cilët punonin nën urdhrat e organizatës së Budllës. Nga ana tjetër ky i fundit sërish nuk u gjet dhe mbetet në kërkim në disa shtete të Evropës.
Emri i Kreshnik Budllës u shfaq edhe në dosjen e ish-deputetit të arrestuar të PS Jurgis Çyrbja i cili në komunikimet që kishte pasur me të në “Sky Ecc” i ofronte informacion për t’i shpëtuar policisë.
Në komunikimet e zhvilluara gjatë muajve nëntor 2020 dhe shkurt 2021, Çyrbja e informon Budllën që të kontrollonte ambientin rreth banesës së tij pasi kishte informacion se mund të jetë nën monitorim nga agjentë të SHIK-ut.
"...Vetëm shih SHIK-un mos ka njeri vërdallë..."-i shkruan Çyrbja, personit në kërkim, Kreshnik Farruku.
Gjithashtu në bisedat e zhvilluara mes datës 27 dhjetor 2020 deri në 29 shkurt 2021, Kreshnik Budlla alias Farroku, i konfirmon Jurgis Çyrbjas faktin se ishte pa punë, dhe person i shpallur në kërkim. Versus.al








