
Policia e Shtetit ka publikuar pamje të reja nga operacioni i koduar “Puzzle”, i cili çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Kosova drejt Shqipërisë, me synimin për t’i shitur ato.
Në videot e bëra publike, duken qartë momentet e një blerjeje të simuluar nga agjentët e infiltruar, që çoi në zbardhjen e skemës së trafikut dhe identifikimin e autorëve.
Gjatë operacionit u sekuestruan 14 armë zjarri, përfshirë 12 pistoleta (njëra me silenciator) dhe 2 armë automatike, si dhe sasi municioni luftarak, 2077 fara cannabisi, 3 automjete dhe 8 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për veprimtari kriminale.
Policia ka identifikuar 12 persona të përfshirë në këtë rrjet, prej të cilëve 10 janë arrestuar, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.
Mes të ndaluarve janë: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu./Versus.al







