Pas masakrës në qendër të qytetit, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Shkodër, shihet duke lëvizur me mjetin e marrë me forcë në lagjen “Serreq”, përpara se të braktiste makinën dhe të tentonte arratisjen në këmbë
Versus ka siguruar pamjet e momentit kur Ragip Gila, autori i dyshuar i atentatit të përgjakshëm në Shkodër, largohet me një automjet të tipit BMW, të cilin dyshohet se e kishte grabitur me forcë menjëherë pas krimit.
Në video, Gila shihet duke kaluar me nxitim mes për mes lagjes “Serreq”, ndërsa i drejtohet lagjes “Skënderbeg”, në përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja.
Automjeti që drejtonte autori rezulton i aksidentuar në pjesën e përparme, pasi ishte përplasur me një mjet tjetër gjatë tentativës për të ikur. Dëmtimet në pjesën ballore të makinës konfirmojnë përplasjen që ndodhi pak minuta pas krimit. Burime nga policia bëjnë me dije se, pasi ka përshkuar rrugën deri në afërsi të lumit Kir, Ragip Gila është ndjekur nga forcat e policisë dhe ka braktisur automjetin, duke tentuar arratisjen në këmbë nëpër zonën e pyllëzuar. Gila është kapur më pas nga policia, ndërkohë që ndaj tij po zhvillohen hetimet si autor i dyshuar i një ngjarjeje që tronditi qytetin e Shkodrës.
Ragip Gila akuzohet për ekzekutimin me armë zjarri të dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve, mes tyre një banakiere dhe njëri nga objektivat e atentatit, Erogen Vaso (Brajoviç). Autori ka deklaruar në polici se kishte një konflikt personal me Erogenin dhe se ai ishte objektivi i vetëm, por ngjarja përfundoi me viktima të pafajshme.







