
Pas ditëve me ajër të ndotur nga tymi i djegies së mbeturinave, qyteti bregdetar i Vlorës po përballet tani edhe me mungesë uji të pijshëm, një tjetër krizë në nisje të sezonit turistik.
Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njoftoi se furnizimi me ujë është ndërprerë për shkak të stakimeve të energjisë elektrike në zonat ku ndodhen stacionet e pompimit, si dhe për shkak të një defekti teknik në një nga pikat kyçe të rrjetit, konkretisht Stacioni Nr. 4.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike që kanë shkaktuar probleme serioze në transmetimin dhe shpërndarjen e ujit në të gjithë qytetin. Situata është përkeqësuar më tej gjatë natës, kur ka dalë jashtë funksionit një nga stacionet kryesore të pompimit, duke lënë një pjesë të madhe të qytetit pa ujë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Autoritetet bëjnë me dije se ndërprerjet e furnizimit do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, në mënyrë që të bëhet furnizimi i depove dhe të kryhen ndërhyrjet teknike në rrjet.
Nga ana tjetër, ujësjellësi i Vlorës garanton se ekipet teknike ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për të rikthyer furnizimin me ujë sa më parë. Qytetarëve dhe bizneseve u kërkohet mirëkuptim deri në përfundimin e plotë të punimeve.
Ndërkohë, vetëm tri ditë më parë Vlora u përfshi nga tymi i djegies së mbeturinave, çka e bëri të padurueshme jetesën në qytet për orë të tëra.
Në prag të sezonit turistik, Vlora që duhej të ishte gati për të pritur mijëra vizitorë, duket më shumë si një qytet në emergjencë sesa një destinacion pushimesh.







