
Tiranë- Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me vlerë 3 milionë euro nën pronësinë e noteres Sanja Telhallari.
Në njoftimin e organit të akuzës thuhet se hetimet e deritanishme kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm transaksionesh gjatë periudhës 2013-2024 kur Telhallari ka blerë pasuri të paluajtshme si apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”.
Në total janë gjetur 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare me vlera të larta monetare të cilat janë vënë nën sekuestro. Gjithashtu, prokuroria pretendon se noterja ka investuar në blerjen e makinave dhe sendeve me vlerë të cilat ekonomikisht nuk justifikohen nga aktiviteti i saj si notere.
Të ardhurat e ligjshme të deklaruara nuk përputhen me shpenzimet e bëra. Dyshohet se një pjesë e parave të përdorura për blerjen e këtyre pasurive, kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj K.P i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia si dhe është dënuar me 21 vite burg për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”.
Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të pasurive nën emrin e noteres apo familjarëve të saj. Versus.al







