AKTUALITET /

PD depoziton padinë në Kolegjin Zgjedhor: Kërkon rrëzimin e rezultatit të 11 majit 2025

Në padinë e depozituar pranë Kolegjit Zgjedhor, Partia Demokratike ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke pretenduar se procesi është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi.

Shkruar nga Versus

PD depoziton padinë në Kolegjin Zgjedhor: Kërkon rrëzimin e

Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht padinë në Kolegjin Zgjedhor kundër vendimit të Komisionit Rregullator që certifikoi përfundimisht rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit 2025, ku Partia Socialiste u shpall fituese me 83 mandate.

Sipas PD-së, procesi zgjedhor ka qenë i shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi, të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave ndërkombëtare monitoruese, përfshirë OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit.

Partia Demokratike pretendon se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i drejtuar nga Ilirjan Celibashi, nuk mori asnjë masë për të parandaluar apo adresuar këto problematika.

Në padinë e saj, PD kërkon që Kolegji Zgjedhor të pranojë plotësisht objektin e padisë dhe të ndryshojë Vendimin nr. 34, datë 28.08.2025 të Komisionit Rregullator pranë KOZ, duke rrëzuar shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025.

'Duke qenë se këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave monitoruese ndërkombëtare si OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit, është i qartë fakti që rezultati i shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 11 maj 2025 është i pavlefshëm dhe nuk mund të pranohet si i tillë. Për më tepër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i drejtuar nga Ilirjan Celibashi, nuk mori asnjë masë për të parandaluar apo adresuar këto problematika.

Vetëm një vendim i drejtë dhe i guximshëm i Kolegjit Zgjedhor do të shërbente si garanci për mbrojtjen e parimeve demokratike, respektimin e vullnetit qytetar dhe vendosjen e një precedenti të nevojshëm për të ardhmen e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Ndaj, për të gjitha këto arsye, dhe duke marrë në konsideratë se provat dhe argumentet e paraqitura janë të plota dhe të pakundërshtueshme, kërkojmë që: Në seancën e gjykimit përpara Kolegjit, të kërkohet përfundimisht nga Kolegji Zgjedhor pranimi i plotë i kësaj padie sipas objektit të saj, duke vendosur: Ndryshimin e Vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të Komisionit Rregullator pranë KOZ, duke vendosur rrëzimin e propozimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025', thuhet në padinë e PD.

Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori 50 mandate. Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat./Versus.al

 

Poll