
Ardian Halili, ish-drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Durrësit, i cili u la në burg pak ditë më parë, është refuzuar të hetohet nga prokuroria e Posaçme SPAK, pasi dosja kundër tij nuk përmbante asnjë element të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve publikë”.
Përmes një vendimi shpallje moskompetence, SPAK, në muajin Gusht 2025 delegoi rastin e materialit policor kundër Halilit, në prokurorinë e Durrësit, e cila tashmë ka regjistruar procedim penal për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit pa lejë” me qëllim përfitimi.
“Ora News” ka zbardhur deklarimin e ish-zyrtarit Ardian Halili të dhënë në policinë e Durrësit, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike se nuk e ka ndërtuar kompleksin “Saint Michelle Rezidence” pa leje.
Sipas Halilit, ai është pajisur me dy lejë ndërtimi nga Bashkia e Durrësit, ndaj dhe ka vijuar punimet me material polisteroli.
Më tej gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, Ardian Halili, ka sqaruar se:
”...nuk është e vërtetë se në subjektin “Saint Michelle Rezidenc”, po kryheshin punime ndërtimi, por duke qenë se inspektorët e IKMT-së më kanë vënë në dijeni verbalisht se do prishej objekti, jemi munduar të heqim disa sende dhe orendi të ndryshme...”.
Ai ka sqaruar se të gjitha punimet që janë kryer sipas lejeve të marra nga bashkia e Durrësit, kohë më parë dhe më datën 26 Gusht 2025, nuk po kryhej asnjë lloj punimi.
“...madje këtë e mbështet dhe në pamjet filmike të regjistruara në objektin tim. Pretendimet që ju si polici keni ngritur janë të pabaza. Në lidhje me punimet e kryera për përgolatat, është mbajtur një procedurë nga IMT-ja Durrës, për të cilën prokuroria e Durrësit, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, pasi nuk ka ndërtim të paligjshëm dhe në përfundim të procesit administrative, gjykata u ka dhënë të drejtë, duke vendosur shfuqizimin e vendimeve të marra nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Durrës...”-ka deklaruar Ardian Halili, burri i ish-prokurores së Durrësit, Rabiana Haliali.
Për të bindur policinë gjyqësore, Ardian Halili, gjatë marrjes në pyetje ka paraqitur dokumentet e lëshuara nga bashkia e Durrësit, duke deklaruar se ndërtimet janë kryer kohë më parë, por pa caktuar një datë fikse.
Gjithashtu, Halili ka pretenduar se 11 objektet e ndërtuara prej tij nuk përbëjnë ndërtim pa leje, pasi ato janë ndërtuar me polisterol dhe çati druri.
Por pyetjes së oficerëve se pse keni vendosur ti prishni vetë objektet, kur ato janë ndërtuar me lejen e bashkisë Durrës, Ardian Halili, i është përgjigjur se inspektorë të IKMT-së kanë shkuar ditën e hënë në objekt dhe i kanë thënë verbalisht që të fillonte çmontimin, pasi sipas tyre është mbajtur procedurë për shembjen e ndërtimit.
Në fund të deklarimit të tij, Halili, thotë se nga ana e policisë nuk i është bërë e qartë se pse po arrestohet për “Ndërtim pa lejë”, ”Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion aktiv”, sepse për këto është mbajtur procedurë nga IMTV-ja Durrës në muajin Maj i vitit 2022, periudhë kur unë nuk kam qenë drejtues i IMTV-së dhe s’kam pasur asnjë funksion shtetëror.
“...për këtë procedurë të nisur nga IMTV-ja Durrës, prokuroria e rrethit Durrës, ka vendosur mosfillimin e dosjes penale. Ndërsa Gjykata Administrative , ka vendosur shfuqizimin e akteve të mbajtura nga IMTV-ja Durrës...”-ka pohuar Ardian Halili.
Pavarësisht këtyre pretendimeve Halili është arrestuar nga policia gjyqësore për tre akuza, duke çuar dosjen hetimore në SPAK. Por prokuroria e posaçme SPAK, ka shpallur moskopetencën duke dërguar aktet kundër Halilit në prokurorinë e Durrësit.
Pak ditë më parë gjykata e Durrësit vlerësoi arrestimin e paligjshëm të kryer nga policia ndaj Ardian Halilit. Por nga ana tjetër e quajti legjitime kërkesën e prokurores, Teuta Rrudha, për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Halilit.
Ndërkohë dy ditë më parë, inspektorët e IKMT-së vendosën të shembin me tritol kompleksin “Saint Michelle Rezidence” të ndërtuar në kepin e Rodonit.







