
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun alias Mamo alias Serjani i cili akuzohet për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 14 mars të vitit të kaluar në Larushkë të Fushë Krujës.
Dy ditë pas arrestimit të tij në Orikum, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”, Plaku ka mohuar përfshirjen e tij në vrasjen e ndodhur, ndërsa thotë se shkak për arrestimin e tij është bërë përdorimi i një mjeti tip “Golf” para 10 ditësh.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen, kam perdorur nje golf para 10 ditësh prandaj erdhi policia tek unë”- deklaroi 42 vjeçari në gjykatë.
Ai u përfaqësua nga avokati Edvis Gorishti i cili kërkoi një masë më të butë sigurie për të dyshuarin, gjë që iu refuzua nga trupa gjykuese. Plaku u vu në pranga gjatë një operacioni të zhvilluar nga forcat “Operacionale” që solli edhe arrestimin e 4 personave të tjerë si të dyshuar për ndihmë ndaj tij dhe përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.
Vrasja e Gentjan Bejtjas
Flodian Plaku dyshohet si një ndër tre autorët që kanë hapur zjarr me breshëri ndaj ish-policit që ishte kthyer në personazh të botës së krimit. Më 14 mars të 2024-ës, ata qëlluan me breshëri plumbash automatiku kundrejt Bejtjas i cili ndodhej në oborrin e banesës së tij në Larushkë të Fushë Krujës. Dyshohet se vrasja ka motive hakmarrje si pasojë e luftës për hakmarrje mes grupeve të Ervis Martinajt, Indrit Dokles dhe Durim Bamit. Pak ditë pas vrasjes u arrestuan Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu, të dy të dyshuar për atentatin mafioz. Dosja për vrasjen e Bejtjas kaloi për gjykim më 9 mars të këtij viti. Versus.al







