Vangjush Dako, ish-kryebashkiak i Durrësit është liruar sot nga qelia pasi ka përfunduar dënimin e dhënë nga Apeli i GJKKO me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre.
Dako u rikthye në burg për të vuajtur edhe 10 ditë dënim, ndërsa që ditën e parë që Apeli i GJKKO njoftoi vendimin, ish-kreu i bashkisë së Durrësit u shtrua në spital në repartin e infektivit pasi vuante nga aritmia, gjendja e ankthit dhe hernie diskale.
Një pjesë të dënimit Dako e vuajti në arrest shtëpie, ndërsa tashmë pas daljes së fundit nga burgu, ish-kreu i bashkisë duket se i ka mbyllur problemet me drejtësinë duke shlyer dënimin e caktuar.
Veprat penale për të cilat u dënua Dako
Ish-kreu i bashkisë u dënua për shpërdorim detyre në dy episode, së pari lidhur me miratimin e lejes në favor të shoqërisë “Fakle sh.p.k ku ai dhe vartësit e tij kishin përpiluar dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët kishin hyrë në apartamentet e tyre për të banuar.
Ndërsa episodi i dytë lidhet me projektin e Currilave, mbi një procedurë prokurimi për shërbim konsulence ndaj bashkisë. SPAK pohoi se komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, gati 10 herë më shumë sesa vlera që duhet të llogaritej ne bazë të të vendimit të Këshillit të Ministrave. Versus.al







