AKTUALITET /

‘Po iki në shtëpi duke ditur se kanceri po avancon brenda meje’/ Situatë e rëndë te Onkologjiku, mungojnë ilaçet kryesore

Gazetari Osman Stafa ka denoncuar situatën e rëndë brenda këtij spitali të sëmundjeve të rënda, ku sipas pohimit të pacientëve janë të paktën dy ilaçe kryesore që mungojnë dhe për pasojë, sëmundja e kancerit brenda pacientëve që trajtohen, po avancon pa ndalim.

Shkruar nga Versus

‘Po iki në shtëpi duke ditur se kanceri po avancon brenda

Dëshmi rrënqethëse vijnë nga pacientë të spitalit Onkologjik në Tiranë, ku mungesa e ilaçeve kryesore po i çon drejt vdekjes.

Gazetari Osman Stafa ka denoncuar situatën e rëndë brenda këtij spitali të sëmundjeve të rënda, ku sipas pohimit të pacientëve janë të paktën dy ilaçe kryesore që mungojnë dhe për pasojë, sëmundja e kancerit brenda pacientëve që trajtohen, po avancon pa ndalim.

‘Sapo mbylla telefonin nga një bisedë e gjatë që zhvillova me një pacient të Onkologjikut.  

Eshtë skandaloze ajo që po ndodh aktualisht aty. Prej 5 ditësh mungon ilaçi kimio ‘mesna’.  

Mesna duhet të merret me medikamentin ‘ifosfamid’.

Ifosfamidi përdoret në limfoma, kancer të mushkërive dhe sarkoma. Nuk mund të jepet ifosfamidi, i pashoqëruar me mesna. Pacientë kanë mbetur pa këtë trajtim’, shkruan gazetari Stafa, sipas bisedës që ka bërë me pacientët që kërkojnë të trajtohen me ilaçin e domosdoshëm.

Por jo vetëm kaq.

Përveç ‘mesna’ mungon edhe një tjetër ilaç po kaq i rëndësishëm. Bëhet fjalë për ‘vinblastinë’, një tjetër medikament mjaft i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të mushkërisë, fshikëzës, trurit etj.

‘Sikur të mos mjaftonte kjo, mungesave i është shtuar edhe ‘vinblastinë’. Një tjetër medikament shumë i rëndësishëm në trajtimin e kancerit. Përdoret së bashku me medikamente të tjera, për të trajtuar disa lloje të kancerit, ku përfshihet limfoma ‘Hodgkin’, kanceri i mushkërive, kanceri i fshikëzës, kanceri i trurit, melanoma dhe kanceri testikular’, shkruan gazetari Osman Stafa.

Kudo që kanë pyetur pacientët, kanë marrë vetëm një përgjigje: është në mungesë.

Pasi kanë shkuar në drejtorinë Farmacinë Qendrore të QSUT-së, askush nuk i ka pritur aty, duke mos u dhënë as shpresë, por duke i lënë të ikin pa e kthyer kokën pas, por pacientët nuk janë dorëzuar. Ata kanë vazhduar të kërkojnë ilaçet që u duhen, por askund nuk i kanë gjetur.

‘Është mungesë.- shkruan gazetari Stafa në denoncimin publik të tij. - Pacientët janë duke kontrolluar farmacitë e gjithë Tiranës në mos e gjejnë, pasi e kanë urgjente. Protokolli i tyre, u thotë që këto ilaçe duhet t’i kishin bërë, ndërsa po humbasin kohë të çmuar.

Moszbatimi i protokollit, çon në regres.  Kuptojeni. Kanceri avacon, përhapet, dhe nuk ke më mundësi ta mundësh.  

Shkojnë pacientët në Farmacinë Qëndrore për të takuar drejtoreshën e për të mësuar mbi fatin e medikamenteve të tyre, dhe nuk i pret askush. Askush që t’i sqarojë. I kthejnë mbrapsht të gjithë.

Të pashpresë largohen. Të pashpresë. Nuk kanë çfarë bëjnë përballë shtetit, që as i plas se çfarë ndodh me ta’.

E në fund edhe mesazhi më i dhimbshëm i pacientit i cili në pamundësi të gjejë ilaçin që i duhet patjetër që të kurohet, ka marrë rrugën e shtëpisë, duke e ditur se, ajo rrugë kishte vetëm një destinacion, mungesa e trajtimit me ilaçe të çon në humbjen e jetës, më shpejt seç duhet.

‘A keni ndërgjegje?  A keni zemër?  A keni shpirt?  Si mund t’i lini ata njerëz ashtu?

Në lot ishte pacienti në fjalë, ku pasi kishte kontrolluar gjithë Tiranën për ilaçin që i duhet, së bashku me familjarët, është dorëzuar dhe po ikën në shtëpi. ‘Po iki në shtëpi duke ditur se kanceri po avancon brenda trupit tim, e kjo për faj të këtij qelbësirë shteti, që nuk më siguron kimiot’, është apeli i pacientit që nuk siguron dot jetën e tij.

Gazetari Osman Stafa ka dhe një thirrje për kryeministrin dhe ministren e Shëndetësisë.

‘Albana Koçiu a është iluzion kjo çfarë shkruaj? A është e vërtetë e marrë aty këtu?

Edi Rama  a është krim kundër njerëzimit t'i lësh të sëmurët me kancer pa kimio?’, shkruan në denoncimin e tij publik, gazetari Osman Stafa, me shpresën se institucionet do të lëvizin dhe të sigurojnë ilaçet aq shumë të domosdoshme për pacientët e sëmurë me kancer.

Vetëm një ditë më parë, Gjykata e Apelit vendosi përfundimisht që të mos nisin hetimet për mungesën e kimioneve për fëmijët, një vendim i rëndë dhe padrejtësi për pacientët e vegjël që nuk kanë mundësi tjetër që të kurohen.

Poll