
Forcat e ushtrisë së Kosovës kanë mbërritur në Burrel në vendin ku ndodhi tragjedia e shembjes së rezervuarit që më pas bëri që masivi i dheut të mbulonte totalisht 29 vjeçarin Ardit Beshiri i cili punonte si fadromist.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për aprovimin e Kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë. Nga vendimi i kësaj mbledhjeje të 259-të të Qeverisë, mjetet financiare për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar, sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.”- thuhet në njoftim.
Prej 5 ditësh, i riu ndodhet nën masivin e dheut dhe trupi i tij nuk u gjet në fadromën e cila u zbulua pak pas ngjarjes. Babai i të riut të zhdukur u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të angazhoheshin më shumë për të gjetur të birin, pasi nuk kishin në dispozicion mjetet e duhura.
Pavarësisht kërkimeve të shumta edhe nga familjarë të Beshirit, 29 vjeçari ende nuk është gjetur, ndërsa shpresat që të jetë gjallë, janë të pakta. Versus.al








