
Gjykata e Posaçme ka liruar nga arresti shtëpiak kryebashkiakun e Tropojës Rexhë Byberin dhe zëvendësin e tij Abedin Kërnajën të cilët po hetohen për shpërdorim detyre.
Ndaj të dyve është caktuar masa “detyrim paraqitje" duke u dhënë kështu lirinë pas rreth 1 viti arresti shtëpiak.
Në mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen ndaj dy zyrtarëve të cilët akuzohen për shpërdorim detyre me dëm financiar mbi 277 milion lekë, pasi për ndërtimin e dy rrugëve rrafshuan pyjet pa u konsultuar me institucionet e tjera të mjedisit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Byberi dhe Kërrnaja kanë lejuar subjektin fitues të tenderit të kryejë prerje të pyllit dhe të ndërtojë rrugët pa marrë më parë lejet e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Konkretisht, ata nuk kanë zbatuar procedurat e kërkuara nga ligji, që parashikojnë aplikimin në sistemin elektronik e-Leje pranë bashkisë, verifikimin e dokumentacionit dhe konsultimin me institucionet përkatëse të mjedisit për të vlerësuar ndikimin e këtyre punimeve.
Pas arrestit shtëpiak të Byberit, Zyra Islamaj u zgjodh kryetare e komanduar e bashkisë së Tropojës. Versus.al







