Punimet për zgjerimin e 6 kilometrave të parë në rrugën Tiranë-Durrës nisën në shtator të vitit 2024. Ky segment rrugor ishte parashikuar që të lehtësonte ndjeshëm trafikun në rrugën më të frekuentuar në Shqipëri ku kalojnë çdo ditë rreth 130 mijë automjete.
Pavarësisht se kohëzgjatja e punimeve ishte parashikuar që të ishte deri në 2 vite, në tetor të vitit të kaluar, u deklarua nga institucionet përkatëse se punimet do të përfundonin në dhjetor të 2025-ës dhe se do të lehtësonin dukshëm lëvizjen e qytetarëve të Durrësit e Tiranës.
Megjithatë, situata nuk duket e tillë. Në pamjet e mbërritura në redaksinë e Versus.al shihet sesi trafiku nis përpara mbikalimit të Kasharit dhe vijon përgjatë segmentit ku ende po kryhen punime nga ARRSH. Përveç gjendjes tejet të amortizuar të pjesës tjetër të rrugës më të rëndësishme të vendit, qytetarët përballen edhe me mungesë të respektimit të afateve përsa i përket segmentit prej 6 kilometrash ku po punohet për zgjerimin e korsive duke i çuar ato në 8 në total, ku për secilin sens lëvizje do ketë 3 korsi qarkullimi automjetesh dhe nga një korsi emergjence. Versus.al

