Pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, që pretendoi se një fshat turistik u ndërtua pa leje në Theth dhe se prokurorja Elsa Gjeli nuk nisi hetim mbi denoncimin e Policisë, Prokuroria e Shkodrës ka sqaruar se nuk ka çeshtje penale.
Në një reagim zyrtar për media, ajo shpjegoi se strukturat në Theth nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm. Janë “kontenjerë të përkohshëm pa themele, mbi pllaka guri”, që nuk plotësojnë kriteret për objekt ndërtimi sipas ligjit. Struktura janë vendosur mbi rrasa guri, jo mbi themele betoni, dhe policia e përfshirë në dokumentin zyrtar e ka pranuar këtë.
Sipas VKM-së nr. 408/2015, për kontenjerët e përkohshëm të tillë kërkohet vetëm deklaratë paraprake, jo leje ndërtimi.
IMT-ja e Bashkisë Shkodër i ka klasifikuar këto raste si kundërvajtje administrative, jo vepra penale, duke lënë në kompetencë të autoriteteve lokale trajtimin e situatës, - sqaron prokuroria në reagimin e saj.
Sipas organit të akuzës, vendimi i prokurores Elsa Gjeli më 30 maj 2025, bazuar në nenin 290/ç të Kodit të Procedurës Penale, është marrë pasi fakti nuk përbën vepër penale dhe nuk plotëson kërkesat ligjore për ndjekje penale.
Prokuroria përforcon se veprimi i tillë nuk është një vendim politik, por i bazuar në ligjin 290/ç, që ndalon ngritjen e çështjeve penale kur nuk ekziston elementi penal objektiv. Ajo nënvizon pavarësinë e saj funksionale, mbështetur në Kushtetutën dhe ligjin 97/2016, duke vënë në dukje se çdo ndikim i jashtëm politik, direkt ose indirekt, mund të cënojë besimin qytetar në sistemin e drejtësisë.
Përfundimisht, Prokuroria e Shkodrës deklaron se vendimi është i bazuar në analizë ligjore dhe faktesh, jo në vullnet personal, dhe çdo debat publik duhet të ndjekë rrugët formale ligjore, jo komente politike që synojnë presion ndaj sistemit të drejtësisë.







