Një reagim i fortë ka ardhur nga ish-drejtori i Institutit të Monumenteve dhe studiuesi i njohur i trashëgimisë kulturore, Auron Tare pas publikimit të disa imazheve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Integrimit Evropian (MEKI) për Shpellën e Spilës në Himarë.
Në një postim në Facebook, Tare e quan projektin e MEKI-t “të çuditshëm” dhe tregon se imazhet që shoqëronin tekstin e institucioni nuk lidhen fare me vendin dhe historinë e shpellës shqiptare.
“Të shohësh imazhet e supozuara të projektit të MEKI-t dhe të kuptosh se ato janë marrë nga një shpellë kineze në provincën e Huashan, nuk të merr shumë kohë. Një fëmijë i pajisur me informacion bazik mund ta kuptojë këtë brenda 5 minutash,” shkruan Tare, duke ironizuar përdorimin e materialeve të huaja për të paraqitur një monument të kategorisë së parë në Shqipëri.
Ai kritikon ashpër institucionin për mungesën e ekspertizës në projekt, duke theksuar se nuk mund të përdoren “elektricistë që punojnë me tendera” për projekte të interpretimit historik dhe mitologjik të një shpellë që lidhet me hapësirën homerike.
Tare sugjeron që MEKI të angazhojë një grup specialistësh të arkeologjisë dhe historisë, të cilët të bazojnë punën në zbulimet arkeologjike dhe në kontekstin e epokës homerike në Epirin Antik.
Ai nënvizon gjithashtu mundësinë e bashkëpunimit me UNESCO-n, e cila ka në dispozicion ekspertë të njohur ndërkombëtarisht për projekte të ngjashme.
“Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është: A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spillesë në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spilë me Budën e Huashanit?” përfundon Tare, duke sfiduar seriozitetin e projektit dhe duke kërkuar qasje profesionale në ruajtjen dhe promovimin e këtij monumenti historik.
Postimi i plotë i Auron Tares:
Shokë të MEKI-t, të jemi pak më seriozë dhe mos u tallni me taksapaguesit tuaj.
Reagimi i MEKI-t për një shkrim modest timin mbi gjendjen faktike të Shpellës së Spilës më bëri të mendoj se ky institucion e kishte seriozisht ndërhyrjen dhe shpëtimin e këtij monumenti të kategorisë së parë nga braktisja dhe lavazhot përqark. Për këtë arsye e pashë me vëmendje si tekstin, ashtu edhe 3 imazhet që shoqëronin tekstin. Duke e ditur se në Shqipëri nuk ekzistojnë specialistët e mirfilltë të interpretimit të mitologjisë antike në imazhe moderne te inteligjences Artificiale , isha shumë i surprizuar të shikoj fotot nga “projekti” i supozuar i MEKI-t.
Kam pasur fatin që, 10 vite më parë, në Singapor, si pjesë e një delegacioni të UNESCO-s, te shikoja ndoshta projektin e parë me IA të ri – interpretimin e mitologjisë antike kineze, të zbuluara në një shpelle unike diku në shkretëtirat e Kinës. Ishte një projekt shumë ambicioz, ku Universiteti i Sydney-t, Pekinit dhe Opera Shtetërore e Pekinit kishin rikrijuar të gjitha imazhet e shpellës bazuar në imazhet e pikturuara dhe gërmimet arkeologjike me Inteligjencë Artificiale dhe i përdornin për turizëm edukativ dhe kulturor. Prandaj, lajmi se MEKI kishte një projekt për Shpellën më intrigoi.
Por kurioziteti u kthye në zhgënjim dhe pastaj në qeshje pa fund.
Imazhi i parë i MEKI-t duket se nje person me shume gjasa një kinez i cili me një projektor në dorë krijon dritehije në shpellën e ndriçuar pas tij.
Në botën e teknologjisë së sotme nje femije i duhen vetëm 5 minuta dhe informacion bazik për të kuptuar se ku dhe si janë gjeneruar këto imazhe.
Në fakt, mua më deshen pak me shume se 10 minuta për të kuptuar se imazhet e projektit të MEKI-t vijnë nga një Shpellë Kineze, në provincën e Huashan”, shkruan Tare në Facebook.
“Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është:
A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spillesë në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spilë me Budën e Huashanit?
Besoj se të paktën qytetarët në Himarë do të qeshin sot në mbrëmje kur të ulen për të pirë kafenë buzë detit dhe të lexojnë se Ministria jonë që mbulon kulturën përdor imazhet e shpellave në Kinë për Shpellën e Spillesë, një shpellë që mitet lokale e lidhin me hapësirën Homerik?
Suggjerim për drejtuesin e MEKI-t:
Mblidh një grup të vogël specialistësh të arkeologjisë dhe historisë. Krijo një ide të qartë se çfarë konteksti historik mund të përdoret në Shpellën e Spillesë, bazuar në zbulimet arkeologjike. Duke e lidhur këtë Shpellë me të gjithë arealin Homerik në Epirin Antik. Përfshirë këtu edhe iso polifoninë e ardhur nga ajo periudhë”, mbyll reagimin Tare.
Ky projekt i dashur Gonxhe kërkon specialistë të mirëfilltë që kanë zbatuar projekte të interpretimit historik në shpella, jo elektricistë që punojnë me tendera. Shiko modelet franceze, të cilat janë për t’u admiruar, për shembull.
Nëse nuk ke kapacitet për të gjitha këto, kërko ndihmën e UNESCO-s, e cila ka në listat e saj një numër ekspertësh të kalibrit botëror që do ta kishin ëndërr të merreshin me një projekt homerik.
Faleminderit.
Më poshtë: foto nga MEKI dhe foto nga projekti i Huashanit.
Foto numer 1 Nga Deklarata zyrtare e MEKI-te te Republikes se Shqiperise.
Foto numer 2. Projekti I Shpelles se Huashan, Provinca Tunxi, Huangshan City, Republika Popullore e Kines./Versus.al







