Qeveria ka miratuar sot vendimin për mbylljen e përkohshme të aplikacionit “TikTok” në Shqipëri.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu foli para gazetarëve dhe deklaroi se mbyllja do të jetë për 12 muajt e ardhshëm me qëllim që të rishikohet vendosja e filtrave për të ndaluar materialet e dhunshme e bullizuese që qarkullojnë mes fëmijëve dhe të rinjve.
“Kjo është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Do të thotë që i kemi dhënë vetes kohën e duhur për të marrë masat e nevojshme që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë. Me filtrat dhe instrumentat që ato do vendosen në mënyrë që kur të rishikohet masa e rihapjes së rrjetit, të jemi të qetë që lundrimi i fëmijëve në këto rrjete të jetë brenda kritereve të domosdoshme”- u shpreh Manastirliu.
Ndërprerja e aksesit në këtë aplikacion, do të realizohet brenda një jave nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike.
Ideja për mbylljen e rrjetit social “TikTok” u hodh për konsultim në publik nga vetë kryeministri Edi Rama pas ngjarjes tragjike të ndodhur në fund të tetorit në shkollën 9 vjeçare “Fan Noli” në Tiranë ku një 14 vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij pas sherrit të nisur në rrjetet sociale.
Rama e konsideroi këtë aplikacion si të dëmshëm për fëmijët dhe nxitës të bullizmit dhe dhunës. Në përfundim të konsultimit, ai tha se edhe prindërit e kanë kërkuar një gjë të tillë për të bërë të mundur marrjen e masave për sigurinë e fëmijëve.
Nga ana tjetër, opozita e ka cilësuar këtë vendim të Ramës si “akt censure” për të ndaluar shpëndarjen e materialeve kundër qeverisë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Versus.al








