AKTUALITET /

RENEA e FNSH "blindojnë" Sarandën pas atentatit me tritol ndaj Isuf Jaçajt: Pista kryesore, hakmarrja

Operacion i gjerë në Sarandë dhe Konispol, Forcat Speciale kërkojnë autorët e shpërthimit fatal

Shkruar nga Versus

RENEA e FNSH "blindojnë" Sarandën pas atentatit me tritol

Pas atentatit tronditës të mbrëmjes së kaluar në Sarandë, ku humbi jetën 58-vjeçari Isuf Jaçaj, forca të shumta speciale të RENEA-s dhe FNSH-së kanë zbarkuar në qytet dhe zonat përreth, në një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjatë ditës së diel, njësitë speciale të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle intensive në lagje të ndryshme të Sarandës dhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, duke përdorur pajisje të specializuara për zbulimin e lëndëve eksplozive dhe provave të tjera të mundshme në terren.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore ku po fokusohet hetimi është ajo e hakmarrjes, në vijim të një konflikti që nisi më 17 korrik, kur dy persona u plagosën me armë zjarri në Sarandë.

Isuf Jaçaj ishte babai i Klaus Jaçaj, 31 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në burg, i akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “moskallëzim krimi”, pasi dyshohet se ka ndihmuar Ramadan Zoton pas plagosjes së dyfishtë. Klaus Jaçaj u vetëdorëzua në polici më 23 korrik, vetëm dy ditë pasi një sasi eksplozivi i shpërtheu makinën e parkuar pranë banesës, në një tjetër atentat ende të pazbardhur.

Në lidhje me ngjarjen e fundit, ekspertët e xhenios kanë përcaktuar se janë përdorur rreth 800 gram tritol, i vendosur nën mjetin tip “Toyota” që drejtonte viktima. Shpërthimi dyshohet të jetë aktivizuar me telekomandë, ndërsa deri më tani nuk janë identifikuar kamera sigurie në zonën ku ndodhi atentati, çka po pengon hetimin.

Policia ka shoqëruar mbi 10 persona dhe vijon të marrë në pyetje banorë të lagjes nr. 3, por operacioni është zgjeruar edhe jashtë qytetit. Prania e forcave speciale tregon për seriozitetin me të cilin autoritetet po e trajtojnë këtë ngjarje, që shihet si pjesë e një spiraleje të rrezikshme hakmarrjeje në Sarandë.

Ndërkohë, për atentatin e 17 korrikut ku u plagosën Gëzim Hajdaraj (33) dhe Ernest Lama (25), dy emra të njohur për policinë lokale, si dhe për rolin e Ramadan Zotos – ish-i dënuar në Greqi për vrasje – hetimet janë ende në zhvillim.

RENEA dhe FNSH pritet të vijojnë qëndrimin në Sarandë edhe në ditët në vijim, për të garantuar rendin dhe për të ndihmuar hetimet në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Poll