AKTUALITET /

“Ruajeni sjelljen që e fituat në Ramazan”, nesër festa e Fitër Bajramit, kreu i KMSH: Agjërimi, ishte shkollë mujore

Shkruar nga Versus

“Ruajeni sjelljen që e fituat në Ramazan”, nesër

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar besimtarët për muajin e Ramazanit që tashmë është drejt mbylljes, për të kremtuar nesër Fitër Bajramin.

Duke e konsideruar si një “shkollë mujore” për besimtarët, Spahiu u kërkoi qytetarëve që sjelljet e përfituara gjatë këtij muaji, t’i vazhdojnë edhe më tutje.

Urimi i plotë i Spahiut:

Po i japim lamtumirën e fundit muajit të bekuar, që la pas falje e mëshirë për secilin.

Nesër është festë, është Fiter Bajrami!

"Hani e pini të gëzuar, ngase këtë e keni fituar në ditët e kaluara.” (El-Hakka, 24)

Ne, sot i lutemi Zotit të Madhëruar - Mëshiruesit e Bamirësit, që Ramazani i nderuar, i cili në këtë botë është, fund e kye, një mirësi e madhe për ne, në Ditën e Ringjalljes të ndërmjetësojë tek Zoti për ne, duke thënë: "O Zot! Unë i kam penguar këta gjatë ditës nga të ngrënët, të pirët dhe kënaqësitë e tjera të ndryshme; pranoje ndërmjetësimin tim në favor të tyre."

Të nderuar motra dhe vëllezër!

Agjërimi ishte një “shkollë” një mujore për secilin prej nesh.

Gjatë këtij muaji njeriu mëson se modestia dhe jo mendjemadhësia është virtyt.

Mëson se falja është më me vlerë se hakmarrja.

Mëson se përkujdesi ndaj të varfërve dhe të pamundurve është cilësi më e lartë se indiferentizmi.

Mëson vetëdisiplinimin, vetëkontrollin dhe vetedukimin.

Sot nuk mund t'i përmend të gjitha ato të mira që i mësuam nga muaji Ramazan, por desha të theksoj një çështje me rëndësi, mbi të cilën duhet të përqendrohemi me seriozitet dhe sinqeritet: drejtimin që e morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që e arritëm, duhet t'i vazhdojmë më tej.

Të nderuar vëllezër, ruajeni atë që e fituat në Ramazan!

Nesër ne festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë.

Por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit edhe të varfërit, të sëmurët, të moshuarit, për të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit për sikletet e tyre, japim edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë.

Uroj që kjo festë të sjellë harmoni, solidaritet, begati dhe mirëqenie në familjen e çdo shqiptari!

Fitër Bajrami le të na shërbejë si moment i vetëdijesimit tonë që të respektojmë dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore!

Qoftë ky Bajram një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj!

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: