Mediat e huaja kanë reaguar për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare në moshën 88 vjeçare. Në artikullin e publikuar France 24 e cilëson Kadarenë si shkrimtarin, romanet e të cilit “sfiduan” diktaturën komuniste.
“Pavarësisht se u cilësua si tradhtar nga udhëheqësit komunistë të Shqipërisë kur ai dezertoi në Francë në vitin 1990, Kadare u akuzua nga disa se gëzonte një pozicion të privilegjuar nën Hoxhën, i cili e shkëputi vendin ballkanik nga pjesa tjetër e botës”- shkruhet në artikullin e medias franceze.
Reagime ka patur edhe nëpër media të tjera ndërkombëtare, të cilat po ashtu kanë theksuar qëndrimin e Ismail Kadaresë për një Shqipëri Europiane.
Gazeta france Le Monde shkruan: ishte romani i tij i parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur – i botuar në vitin 1963 në Shqipëri dhe shtatë vjet më vonë në Francë nga Albin Michel – që i solli famë, duke e bërë menjëherë një nga shkrimtarët e rrallë shqiptarë të njohur ndërkombëtarisht. I përkthyer në më shumë se 45 gjuhë dhe fitues i çmimeve më të mëdha letrare (Man Booker, Prince of Asturias, Jerusalem Prize).
Media italiane Ansa.it shkruan: Ndërroi jetë sot nga një atak në zemër, shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare.
Yahoonews shkruan: Romancieri Ismail Kadare I cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare përdori stilolapsin e tij si një armë vjedhurazi për t'i mbijetuar diktatorit paranojak të Shqipërisë, Enver Hoxha.
Tregimi i tij i sofistikuar -- shpesh i krahasuar me atë të George Orëell ose Franz Kafka -- përdori metaforë dhe ironi për të zbuluar natyrën e tiranisë nën Hoxhën, i cili sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.
“Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura”, tha Kadare për AFP.
The Guardian shkruan: Ndahet nga jeta në moshën 88 vjeçare Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqipe
Tregimet e tij alegorike, të informuara nga jeta nën komunizmin shtetëror, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik.
Lajmi ka sjellë tristhim mes intelektualëve të vendit të cilët e cilësojnë ditën e sotme si ditë zie për gjithë vendin.
Ndërsa drejtuesit e shtetit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe presidenti Bajram Begaj e cilësuan Kadarenë si “shkrimtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave” dhe “emancipuesin shpirtëror’ të shqiptarëve.
“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe.
Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”- shkruan Nikolla.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.
Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”- shprehet Begaj. Versus.al







