
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin “Secret Flat”, duke goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit me përfshirje të shtetaseve të huaja. Në pranga ka rënë 28-vjeçari shqiptar, Fatjon Spaho, ndërsa në kërkim është shpallur 51-vjeçarja me kombësi kineze, Fengmei Gong.
Sipas policisë, dy të dyshuarit kishin marrë me qira një apartament në lagjen “10 Korriku” të Vlorës, ku kishin organizuar veprimtarinë kriminale të prostitucionit. Në këtë ambient shfrytëzoheshin për prostitucion kundrejt pagesës tre shtetase kineze, të cilat i siguronin strehim dhe klientë.
Gjithashtu, janë nën hetim në gjendje të lirë edhe tre shtetase të huaja, të identifikuara si H.G., B.A. dhe L.M., të cilat ushtronin prostitucion në kuadër të këtij rrethi.
Operacioni “Secret Flat” është zhvilluar mbi bazën e informacionit të inteligjencës policore dhe synon goditjen e veprimtarive kriminale që shfrytëzojnë ambientet e qirave për prostitucion.
Policia vijon punën për kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor “Secret Flat”, goditet një rast i shfrytëzimit të prostitucionit me shtetase të huaja.
Arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar dhe shpallet në kërkim një shtetase me kombësi kineze, të cilët kishin përshtatur një apartament në qytetin e Vlorës, për zhvillimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Procedohen penalisht edhe 3 shtetase të huaja që ushtronin prostitucion kundrejt pagesës.
Në bazë të kontrolleve të mbështetura në informacionet e inteligjencës policore, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të dhënies me qira të ambienteve për ushtrim prostitucioni, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Vlorë kanë zhvilluar planin operacional policor të koduar “Secret Flat”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast në këtë fushë.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim, shtetasi F. S., 28 vjeç, banues në Tiranë. Po për të njëjtat vepra penale, u shpall në kërkim edhe shtetasja F. G., 51 vjeçe, me kombësi kineze.
Nga hetimet rezultoi se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë me qira një apartament në lagjen “10 Korriku”, të cilin e kishin përshtatur për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit.
Në këtë ambient, ata shfrytëzonin për prostitucion kundrejt pagesës tre shtetase të huaja me kombësi kineze, të cilave u kishin ofruar strehim dhe u siguronin klientët për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Prostitucioni”, në ngarkim të tre shtetaseve të huaja H. G., B. A. dhe L. M., të cilat shfrytëzoheshin nga këta dy shtetas dhe ushtronin prostitucion kundrejt pagesës.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen e shtetases së shpallur në kërkim.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.







