
Një detaj edhe tronditës nga rrëfimi i të penduarit të drejtësisë hedh dritë mbi mënyrën sesi Suel Çela, një nga personazhet kyç të botës së krimit në Elbasan, u tall me Erion Alibejn pas masakrës së trefishtë ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Endriti dhe dy të afërm.
Sipas dëshmisë së dhënë, pasi familjarët e Alibejt u ekzekutuan, vetë Suel Çela i ka shkuar pranë, i shoqëruar nga njerëz të tij të afërt dhe të armatosur, përfshirë edhe të njohurin “Nino”. Në një bisedë që për të penduarin ka qenë poshtëruese, Sueli i ka thënë me ironi:
“Rri i qetë se do dali e vërteta, shyqyr që s’ke qenë dhe ti në makinë.”
Lëvizja e Suel Çelës nuk ka qenë e rastësishme. Alibej informohej nga njerëz të tjerë përreth në Elbasan se vëllanë ia kishte vrarë Suel Çela, mirëpo thotë i penduari i drejtësisë, s’u besoja këtyre pretendimeve.
“Edhe pse më vinin fjalë për vëllezërit Çopja, nuk i besoja. Në analizat e mia vetëm problemi me Xhoni Rustën më dilte,” tha ai.
Pas ngjarjes së rëndë, ndërsa ishte ende në kërkim, Alibej është kontaktuar nga policia për të bashkëpunuar.
“Drejtori i Elbasanit ishte Altin Qato. Më erdhën policët në ditën që po përcillja familjarët në banesën e fundit. Ishte edhe Niko Brahimaj nga Krimet e Rënda. Më premtuan se do më lironin për të qenë pranë familjes nëse bashkëpunoja.”- tha ai.
Por Alibej refuzoi asokohe, sepse ai e dinte mirë që një nga oficerët ishte i lidhur me Suel Çelën.
“Kur pashë që shefi i komisariatit ishte aty, i thashë nuk e dua këtë këtu – dhe e nxorën jashtë. Kur mbarova, i thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë: ‘Bën mirë të ikësh nga ky qytet’.”- tha ai. Versus.al







