AKTUALITET /

'Si Ali Baba me 40 hajdutë', investigimi i Dailymail për vëllezërit Hoxhosmani

Sipas hetimit të Dailymail vëllezërit filluan të ndërtonin perandorinë e tyre të drogës pasi u zhvendosën në Britaninë e Madhe ku, sipas miqve, kishin thënë se do të kërkonin azil politik.

Shkruar nga Versus
'Si Ali Baba me 40 hajdutë', investigimi i Dailymail për
Vëllezërit Hoxhosmani

Media britanike Dailymail i ka kushtuar një artikull të gjatë Klevisi dhe Artur Hoxhosmani të cilët u arrestuan në korrikun e këtij pasi dyshohet se vëllezërit pastronin paratë e fituara përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe prona luksoze.

Sipas hetimit të Dailymail vëllezërit filluan të ndërtonin perandorinë e tyre të drogës pasi u zhvendosën në Britaninë e Madhe ku, sipas miqve, kishin thënë se do të kërkonin azil politik.

Ata u vendosën në Dorset, ku vendasit i përshkruajnë si “fqinjët e ferrit”, ndërsa një prej tyre e quante Klevsin të fejuarin e e vajzës së Majlinda Bregut, “Ali Baba”, sepse njerëzit që shkonin e vinin në shtëpinë e tij dukeshin si “40 hajdutët”.

Shkrimi i plotë i Dailymail: 

Ndërsa zbriste nga një Rolls-Royce në Monako këtë verë, burri i veshur me shumë elegancë dukej tepër i lumtur që po filmohej teksa shëtiste në “lojërat” e të pasurve dhe të fuqishmëve.
Në pamjet që më vonë u postuan në TikTok, ai shihej përkrah të dashurës së tij glamuroze – vajzës së një ish-ministri të qeverisë shqiptare – teksa shfaqte hapur pasurinë dhe lidhjet e tij të fuqishme.

Kjo ishte vetëm një nga udhëtimet luksoze që 37-vjeçari kishte shijuar vitet e fundit, ndërsa ai dhe vëllai i tij, partner në biznes, udhëtonin me avionë privatë midis Londrës, Dubait, jugut të Francës dhe Shqipërisë së tyre.

Për një të huaj, mënyra se si këta vëllezër kishin shpëtuar nga varfëria e thellë në një nga rajonet më të varfra të Ballkanit, duke arritur majat përmes punës dhe vendosmërisë, dukej si një histori e jashtëzakonshme “nga balta në ar”.

Vëllezërit zotëronin disa biznese dhe një portofol apartamentesh e vilash luksoze, jo vetëm në zonat më të dëshiruara të kryeqytetit Tiranë, por edhe në “Green Coast” – bregdetin e famshëm shqiptar në Jon.

Njëri prej tyre kishte gjithashtu një jaht në Dubai, i cili, sipas të gjitha gjasave, ishte një magnet për influencuese të bukura që ftoheshin rregullisht për festa luksoze.

Por kjo jetë e lartë duket se mori fund papritur, pasi u bë e qartë se suksesi i tyre ishte ndërtuar mbi themele shumë më të errëta sesa mendohej.

Vetëm pak javë pasi pamjet me Rolls-Royce u postuan online, hetuesit shqiptarë arrestuan Klevis dhe Artur Hoxhosmanin, nën akuzën e drejtimit të një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës në Evropë.

Të dy u paraqitën në gjykatë në Tiranë këtë muaj, të akuzuar për komplot në trafikimin e 335 milionë paund kokainë nga Amerika Latine drejt Britanisë dhe BE-së.

Prokurorët pretendojnë se vëllezërit drejtonin një rrjet të sofistikuar pan-evropian me të paktën 16 persona të përfshirë, që shtrihej në “tregjet ndërkombëtare kriminale”, me një nga “degët ekzekutive” që vepronte në Britani.

Duke fshehur drogën në ngarkesa mallrash të ligjshme – si kuti me banane apo thasë me kakao – pretendohet se “tonelata narkotikësh” transportoheshin drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo rrugëve tokësore për në Francë dhe Britani, nga shoferë kamionësh që punonin për kompani eksporti reale.

Dyshohet se vëllezërit pastronin paratë e fituara përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe prona luksoze.

Hetuesit shqiptarë, që i mbajnë në paraburgim në pritje të gjyqit, kanë sekuestruar një jaht dhe një flotë makinash, përfshirë një Mercedes-Benz AMG G63 (SUV luksoz që kushton mbi 140 mijë £), si edhe një Rolex dhe një Richard Mille.

Sipas një hetimi të Daily Mail, i cili ngre pyetje të reja shqetësuese për sistemin e emigracionit britanik, vëllezërit filluan të ndërtonin perandorinë e tyre të drogës pasi u zhvendosën në MB – ku, sipas miqve, kishin thënë se do të kërkonin azil politik.

Ata u vendosën në Dorset, ku vendasit i përshkruajnë si “fqinjët e ferrit”, ndërsa një prej tyre e quante Klevsin “Ali Baba”, sepse njerëzit që shkonin e vinin në shtëpinë e tij dukeshin si “40 hajdutët”.

Klevisi kishte disa dënime penale, përfshirë edhe për dhunë ndaj një gruaje, ndërsa burime nga Ministria e Brendshme britanike pohojnë se ai ishte nën hetim për trafik droge në kohën kur u arrestua në Shqipëri.

Historia e tyre tronditëse vjen në një kohë kur rastet e trafikut ndërkufitar të drogës të trajtuara nga policia britanike janë dyfishuar brenda një viti, duke vënë nën presion forcat ligjzbatuese.
Ndërkohë, Border Force pritet të kapë një sasi rekord të drogave të klasit A për të dytin vit radhazi.

Klevisi (37) dhe Arturi (42) ishin dy nga katër vëllezër të lindur në Burrel, gjatë viteve të fundit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Ata u rritën në periudhën e trazuar pas rënies së diktaturës, kur ekonomia shqiptare u shemb dhe rendi publik u zhduk.

Dy burime nga komuniteti shqiptar në MB i thanë “Daily Mail” se, si shumë bashkëmoshatarë të tyre, vëllezërit Hoxhosmani vendosën të emigronin në Britani. Arturi shkoi rreth vitit 1999, ndërsa Klevisi disa vite më vonë.

Burimet në Home Office konfirmojnë se ekziston një kërkesë për azil për Arturin – por me datë lindjeje të ndryshuar nga ajo që ka në regjistrat shqiptarë, një taktikë e zakonshme për të vështirësuar verifikimet.

Nuk dihen detajet për kërkesën e Klevisit, por duket se pati një betejë me autoritetet britanike, të cilat humbën një apel në Gjykatën e Migracionit për ta dëbuar.

Rreth vitit 2013, vëllezërit jetonin në Bournemouth, ku Klevisi ishte drejtor i Crystal Hand Carwash, kishte edhe një servis gomash dhe një kafene në qendër të qytetit.

Ata ndërronin shpesh banesat dhe një nga qëndrimet më të gjata e kishin në Hill View Road, një lagje e qetë me shtëpi elegante.

Një fqinj i moshuar kujton:

“Ishte tmerr. Agjentët e pronës u munduan t’i dëbonin. Kur më në fund ikën, shtëpia ishte rrënojë, me vrima në mure, dyer të shqyera dhe erë të tmerrshme nga pelenat e lëna.”

Ai tha se policia vinte shpesh për shkak të zënkave të dhunshme mes çiftit. Një herë, ai kishte parë një grua në rrobë nate që e qëllonte Klevsin në rrugë.

Në vitin 2014, Klevisi u dënua nga gjykata për sulm ndaj një gruaje, mori një urdhër komunitar 29-ditor dhe një gjobë 125 £.

Një vit më parë ishte gjobitur për drejtim automjeti pa leje.

Fqinjët dyshonin se në shtëpi zhvillohej diçka shumë më e keqe: makina luksoze që vinin natën, përfshirë një Lamborghini që ndizte motorin me zhurmë.

Pas disa muajsh, ata u zhvendosën diku tjetër.

Më vonë, Arturi u kap duke hyrë fshehurazi në të njëjtën shtëpi megjithatë nuk u ndalua, sepse kontrata ende figuron ligjërisht në emrin e familjes.

Në vitet që pasuan, sipas prokurorëve shqiptarë, vëllezërit ndërtuan një rrjet ndërkombëtar trafiku kokaine, me një dërgesë 250 kg të kapur në Francë në 2020, gjatë rrugës për në Britani.
Në një mesazh pas bastisjes, Arturi shkruante: “Të q*** shtetin.”

Në komunikimet e tyre, Britania quhej “ishulli”, ndërsa një bashkëpunëtor i shkruante: “Kam gjithë paratë në Angli.”

Një tjetër i uronte: “Zoti të japë çdo gjë që dëshiron zemra jote, vëlla!”

Sipas dokumenteve të SPAK, rrjeti ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara – nga financuesit e dërgesave, te koordinatorët logjistikë dhe shpërndarësit në Evropë.

Ata kishin kontakte në Kolumbi e Ekuador, që merreshin me sigurimin dhe dërgimin e drogës në Antwerp dhe Rotterdam, nga ku ajo shpërndahej drejt Francës dhe Britanisë përmes Tunelit të La Manche.

Për të pastruar paratë, përdornin sistemin Hawala – një metodë joformale transferimi parash që shmang bankat dhe fsheh origjinën e fondeve.

Komunikimet bëheshin përmes aplikacionit të koduar Sky ECC, të ngjashëm me EncroChat, që përdorej nga kriminelët europianë.

Por policia e dekriptoi Sky ECC në 2022, duke zbuluar mijëra mesazhe dhe identifikuar personat pas pseudonimeve.

Kjo çoi në arrestimin e vëllezërve Hoxhosmani dhe disa bashkëpunëtorëve të tyre këtë verë. Ata ndodhen sot në paraburgim në Shqipëri, në pritje të gjyqit.

Ndërkohë, fqinjët e tyre të dikurshëm në Bournemouth – dhe shumë të tjerë – pyesin me habi se si këta “biznesmenë të larjes së makinave” arritën të ktheheshin në “mbretër ndërkombëtarë të kokainës”, duke përdorur Britaninë si trampolinë për rrjetin e tyre kriminal./Përshtati në shqip Versus.al

 

Poll