AKTUALITET /

Simbol i harmonisë mes njeriut dhe natyrës, UNESCO jep dritën jeshile: Lugina Vjosa do të shpallet Rezervat i Biosferës

Një hap i madh për mbrojtjen e natyrës shqiptare: UNESCO ka dhënë dritën jeshile për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në muajin shtator.

Shkruar nga Versus
Simbol i harmonisë mes njeriut dhe natyrës, UNESCO jep dritën
Perla e jugut, Vjosa dhe logoja e UNESCO-s

Një hap i madh për mbrojtjen e natyrës shqiptare: UNESCO ka dhënë dritën jeshile për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në muajin shtator.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e bëri publik lajmin në një postim në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë rekomandim si një “vlerësim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar” për natyrën e paprekur të Shqipërisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e lumit të fundit të egër në Evropë.

“Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është modeli i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon,” – shkruan Kumbaro.

Ajo thekson se ky sukses është rezultat i një pune të gjatë e të përkushtuar nga Ministria që ajo drejton, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Procesi nisi që me vizitën historike të drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, në shkurt të vitit 2023, dhe u shoqërua me angazhim të pandërprerë nga ekspertët shqiptarë në terren.

Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës do ta pozicionojë atë në një piedestal global si një simbol i harmonisë midis njeriut dhe natyrës, dhe do të sjellë një njohje të re për komunitetet që prej brezash jetojnë në bashkëjetesë me ekosistemin unik të kësaj zone.

Në shtator, Këshilli përkatës i UNESCO-s pritet të japë miratimin përfundimtar, duke i dhënë Vjosës një status që jo vetëm mbron mjedisin, por e vendos Shqipërinë në hartën botërore të vendeve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe trashëgiminë natyrore.

 Vjosa nuk është më thjesht një lumë — është një ide, një model, një mesazh. Versus.al

Poll