Gjykata e Posaçme ka lehtësuar masën e sigurisë për mjekun Onkolog Edmond Gashi i cili akuzohet se është i përfshirë në skandalin e Onkologjikut ku nuk ofrohej shërbim për pacientët e sëmurë me kancer.
Ndaj tij u hoq masa e arrestit me burg dhe u caktua detyrim paraqitje duke i bllokuar edhe pasaportën në këmbim të garancisë pasurore prej 20 milionë lekësh të vjetra.
Gash ndodhej nën masën e arrestit shtëpiak që prej 27 qershorit pasi në dosjen e zbardhur nga prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj u zbardh përfshirja e tij në skandalin e Onkologjikut ku ai merrej me shmangien e trajtimit të klientëve në shtet, duke i orientuar në klinikën e tij private “Megis”.
Në një prej rasteve të zbardhura, tregohej sesi një qytetar nga Burreli kishte pasur të ëmën sëmurë dhe e kishte dërguar fillimisht në QSUT por prej aty e transferoi në klinikën private mjekësore Megis ku edhe u operua kundrejt shumës së 2700 eurove. Gjithashtu, pavarësisht se rasti i saj nuk ishte në gradë aq të rëndë, në klinikë mjekësore i është sugjeruar nënshtrimi ndaj kimioterapisë, gjë të cilën pacientja nuk e ka pranuar. Ndërsa në biseda të zhvilluara mes mjekëve, të cilat u publikuan nga gazetari Osman Stafa, tregohet neglizhenca deri kriminale në mostrajtimin e pacientëve të sëmurë me kancer, duke mos u kujdesur për ilaçet e domosdoshme të trajtimit të tyre.
Skandali i mungesës së shërbimit ndaj pacientëve të sëmurë me kancer në spitalin e Onkologjikut, u zbulua në qershor të këtij viti kur prokurori i Tiranës Bledar Valikaj lëshoi disa masa arresti shtëpiak ndaj mjekëve onkolgë, Edmond Gashi dhe Alketa Pere si dhe ndaj ish-zv drejtoreshës së QSUT, Brikena Qiriazi. Gashi akuzohet se nuk u ofronte trajtim pacientëve dhe i drejtonte ata për në klinikën e tij “Megis” ku u merrte shuma të majme parash për operacione të panevojshme dhe ilaçe të cilat shteti duhet t’ua siguronte falas. Bashkëpunëtore e tij në këtë skemë, dyshohet të jetë edhe mjekja Alketa Pere e cila sipas prokurorisë, ishte e punësuar në klinikën private dhe drejtonte pacientët drejt saj duke mos u ofruar shërbim në spitalin publik. Në seancën ku u caktuan masat fillestare të arrestit, mjekët folën për mediat ku mohuan akuzat ndaj tyre, ndërsa mjekja Pere pati edhe kritika për fotot që i kishin publikuar në lajme, duke u shqetësuar më së shumti për këtë fakt sesa për dëmin e shkaktuar ndaj pacientëve të sëmurë me kancer. Versus.al







