
Pas skandalit që përfshiu spitalin Onkologjik ku u zbulua se pacientët me kancer nuk trajtoheshin dhe nuk u siguroheshin ilaçet e shtrenjta, por i blinin në farmaci private, janë publikuar së fundmi pamje skandaloze nga trajtimi i grave që luftojnë me kancerin.
Pavarësisht fjalëve të bukura e statuseve të drejtuesve të shtetit nëpër rrjete sociale sa herë që vjen tetori muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit tek gratë, realiteti tregon diçka krejt tjetër.
Në spitalin Onkologjik gratë që luftojnë me kancerin lihen të ulura në karrige të zakonshme pa kushtet minimale të dinjitetit teksa shkojnë për të bërë kimioterapi. Për këto pamje reagoi edhe gazetari Osman Stafa i cili tha se gratë nuk po bënin kimioterapi, por thjesht po mbijetonin duke u trajtuar njëjtë si të ishim në vitet ’80 pa mjetet bazë.
“Kjo nuk është kimioterapi. Kjo është mbijetesë. Në Spitalin Onkologjik Në vitin 2025, gratë që luftojnë kancerin trajtohen kështu: të ulura në karrige të zakonshme, pa poltronë, pa privatësi, pa kushte minimale dinjiteti.
Asnjë shiringë elektrike. Asnjë pompë infuzioni. Kimioterapia jepet me gravitet, një praktikë e viteve ’80, me rrezik mbidoze, nën-doze, bllokimi, reaksione alergjike pa asnjë alarm. Jetë në rrezik për shkak të varfërisë teknike. Asnjë port-cat.
Pacientët shpojnë venat çdo herë, me dhimbje, me rrezik ekstravazimi, me indet që digjen e shkatërrohen. Ndërkohë që në çdo vend normal porti vendoset që në fillim të trajtimit, për siguri, dinjitet dhe jetë. Këto gra nuk po marrin trajtim. Këto gra po durojnë një sistem që është dorëzuar. Ky është realiteti i Onkologjikut sot. Dhe çdo ditë që heshtet, pacientët trajtohet në kushte të papranueshme për një vend që pretendon të jetë europian. Kjo nuk është historia e tyre. Kjo është përgjegjësia e shtetit”- shkruan gazetari në postimin e tij.
Shteti lë shumë për të dëshiruar në këtë pjesë, por nuk ngurron të përfshihet në fasada të tilla si ndryshimi i pamjes së gruas në mozaikun e Muzeut Kombëtar si sensibilizim për gratë që luftojnë kancerin. Në vend të veprimeve të tilla, duhen veprime konkrete për t’u ofruar të paktën dinjitet grave që përballen çdo ditë me një realitet tejet të dhimbshëm, por mbi të gjitha me mungesën e shërbimit minimal në spitalet ku duhet të marrin trajtim. Versus.al


