
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Klajdi Hakën, i cili akuzohet për veprat penale për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘përkrahje e autorit të krimit’.
Ai akuzohet se ka strehuar në banesë kushëririn e tij Marklen Hakën, të shumëkërkuarin e drejtësisë.
Klajdi Haka e strehoi në zonën e quajtur Liqeni i Bacungut.
Në banesën e të riut Klajdi Haka, gjatë kontrollit u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë.
Policia arrestoi ditën e premte (6 shtator) Marklen Hakën, anëtar i bandës së Niklës, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK për tentativë vrasjeje ndaj Durim Bamit.
Mbi të rëndojnë edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Një ditë më vonë u arrestua edhe kushëriri i tij, Klajdi Haka, pasi e ndihmoi këtë të fundit të fshihej nga drejtësia, ndonëse ishte i shpallur në kërkim./ Versus.al







